Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit nuk do të kalojë lehtë në selinë blu. Kryetari i PD-së, Sali Berisha thotë se do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme brenda partisë për drejtimin e saj. Duke iu përgjigjur gazetarëve në lidhje me një deklaratë të deputetit demokrat Besart Xhaferri, sipas të cilit kreu i PD-së, duhet të ikë vitin e ardhshëm nëse nuk fakton farsën zgjedhore të 2025, Berisha tha se farsa tashmë është faktuar nga raporti i ODIHR-it.
”Së pari, cilido që lexon raportin paraprak të OSBE-ODIHR dhe ka kulturën minimale në të drejtën elektorale, kupton se zgjedhjet kanë qenë farsë. Janë zhvilluar në kushtet e partisë-shtet, e thotë këtë rekomandimi i Këshillit të Europës. Janë zhvilluar në kushte të pabarabarta e thotë raporti paraprak i OSBE-ODIHR.
Që këtu zgjedhjet janë farsë dhe jo zgjedhje. Së dyti, ju garantoj se çdo deputet, anëtar, mbështetës i kësaj partie do të jetë i lirë të shprehë çdo mendim që ka. Natyrisht interpretimi i nenit të statutit, duhet të jetë i saktë. Statuti bën fjalë për zgjedhje, e jo për farsa dhe tani që ta mbyllim këtë punë, do të jetë anëtarësia e PD-së që do t’i bëjë interpretimin përfundimtar. Do të ketë një garë për kryetarin e PD-së e hapur për cilindo. Sigurisht që do të jem”, tha Berisha.
