Inxhinierja Luljeta Bozo ka sqaruar edhe një herë deklaratën mbi komunizmin në Shqipëri, pas kandidimit të saj me logon e PS në zgjedhjet e 25 Prillit.
Ajo shprehet se fjala e saj u keqinterpretua.
“Unë e kam thënë qartë qëndrimin tim, nuk jam penduar për atë deklaratë pasi reagimet ishin keqkuptime. Pse nuk e morën të gjithë frazë. Ai sistem ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta, siç ka çdo sistem. Morën vetëm pjesë e të mirave, pse nuk thanë dhe pjesën e të këqijave që ua thash, që janë shumë por unë tre kisha klasifikuar. Që ishin mbyllja hermetike, që nuk të lejon të zhvillohesh, lufta e pamend e klasave ku për një fjalë ishte neni për agjitacion dhe propagandë që të fuste brenda dhe nuk të fuste vetëm ty por e hante e gjithë familja, domethënë ishte një tmerr i vërtetë. Dhe e fundit që iu dha derma sektorit më jetik që ishte në Shqipëri, bujqësia me të cilën jetonte 60% e popullsisë, ku iu mor edhe ai oborri i shtëpisë fshatarit dhe fshatari vinte të blinte vezë në qytet. Këto ishin tre dhe i dënove krimet e komunizmit dhe u thash hapni dosjet, nuk kam asnjë problem”, deklaroi Bozo.
“Nuk merrem me fjalë, merrem me punë por duhet të marrin përgjigjen e plotë. Nuk mund të hedh poshtë punën heroike të atij populli që nga një vend agrar, analfabetizëm u bë me universitete, sistem energjetik, janë vepra nuk mund t’i mohosh, kanë punuar njerëzit e thjesht”, përfundoi inxhinierja e njohur.
