Britania e Madhe i dhuron ministrisë së Drejtësisë automjete të reja për transportin e të burgosurve, me qëllim lehtësimin dhe rritjen e sigurisë gjatë shoqërimit të personave të dënuar nga burgu drejt gjykatës.
Gjatë aktivitetit për këtë rast, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se shumë shpejt në Kuvend mbërrin projektligji penitenciar. “Miratimi i paketës të legjislacionit penitenciar shumë shpejt do të dërgohet në kuvend ku një pjesë e mirë e procedurave do të përfshihen në ligj duke mos lënë shteg për abuzim dhe korrupsion”, tha Gjonaj.
Ndërsa për burgjet, ajo kujtoi se në prill rriten pagat për punonjësit e këtij sektori si dhe është përgatitur plani 4-vjeçar për ndërhyrjet që do të bëhen në sistemin penitenciar.
“Këto automjete të dhuruara sot nga Britania e Madhe, do të rrisin sigurinë për shoqërimin e personave të dënuar, nga një institucion në tjetrin, ose në gjykata duke lehtësuar dhe rritur sigurinë në sistemin e burgjeve. Britania e Madhe dhe Këshilli i Europës na kanë mbështetur në përgatitjen e Master planit 4 vjeçar për sistemin penitenciar, me të cilën hidhen bazat kryesore të institucionalizimit të qëndrimit tonë strategjik mbi ndërhyrjet që do të bëjmë në sistemin penitenciar. Masat e parashikuara në këtë masterplan janë të lidhura me rritjen e sigurisë në burgje e cila do të jetë edhe kryefjala e investimeve dhe procedurave që do të ndërmerren në burgje, duke shtuar investimt dhe përmirësuar infrastrukturën, si dhe duke përmirësimin e kushteve të punonjësve të burgjeve, në 4 vitet e ardhshëm”, tha Gjonaj.
Miratimi i paketës të legjislacionit penitenciar shumë shpejt do të dërgohet në kuvend ku një pjesë e mirë e procedurave do të përfshihen në ligj duke mos lënë shteg për abuzim dhe korrupsion.


