Rino Gatuzo nuk e ka përjetuar mirë episodin pas penalltisë që u dha për Interin, kur kapiteni i Napolit, Lorencoi Insinje, u largua me karton të kuq pasi shau gjyqtarin Masa. Një “vaffanculo” (ik q…) e lojtarit bëri që ai të shkonte para kohe në dhomat e zhveshjeve duke lënë me një futbollist më pak ekipin e tij.
Trajneri shpjegoi pas sfidës se ishte e papranueshme që fjalë të thëna në momente tensioni, pas një penalltie të kontestuar nga Napoli, të sillnin në ndëshkimin e një lojtrai dhe ai nuk ngurroi të përdorte frazeologji të “ngjyrosur” në shpjegimin e tij.
“Në fund i thashë gjyqtarit Masa se dy minuta para përjashtimit me të kuq i bën komplimente Insinjes dhe dy minuta më vonë e nxjerr jashtë. Vetëm në Itali ndodhin këto gjëra, pasi dikush të shan pas një penalltie të dyshimtë.
Nëse në anglisht thua “fuck off” nuk të ndodh asgjë, vetëm në Itali lojtarët nxirren me të kuq për gjëra të tilla. Atëherë kur luaja unë, duhej të bëja një ndeshje po e një jo? Një “vaffanculo” pas një penalltie ndodh, nuk mund të nxjerrësh jashtë një lojtar dhe të lësh nëj skuadër me 10 futbollistë. Ndodh vetëm në Itali”, tha Gatuzo.

