Gaz Paja është një nga aktorët ikonë të Portokallisë, pjesë e së cilës është prej vitesh, por mesa duket ka ndërmend largimin, ose të paktën këtë ka lënë të kuptohet në një intervistë për “Motor Plus” në Vizion Plus. Ai tha se tashmë personi me të cilin ka bërë pazaret, nuk është më dhe kjo nuk e përjashton mundësinë që të shkojë të punojë diku tjetër.
“Ne jemi si futbollistët, vëlla, nëse dikush na ofron diçka më të mirë pse jo. Unë jam njeri besnik si natyrë, por në një moment kur nuk më ofrohen të gjitha gjërat, sigurisht që do të shikoj punën time. Për momentin jam mirë tek ‘Portokalli’, nëse televizoni ku jam aktualisht nuk vazhdon në linjat që kam nisur unë, shoh shtëpinë time dhe nuk ma ndjen fare. Sepse pazaret i kam bërë me një burrë tjetër që fatkeqësisht nuk është më. Unë jam në ‘Portokalli’, por nuk përjashtoj mundësinë të jem kudo,” u shpreh Paja në një intervistë sipas “Anabel.al”.
Aktualisht aktori i njohur i humori po shijon rolin e ri të të qenit prind, pasi në tetor u bë baba i një djali me partneren Ira.