Gazetarja Anila Hoxha ka dhënë detaje të reja lidhur me raportin vjetor të paraqitur nga SPAK. Në një lidhje direkte për Top Story, Hoxha u shpreh se në hetim janë disa çështje që lidhen me fushën e tenderave dhe që pritet shumë shpejt të ketë rezultate. Por shtoi se nuk ka informacion nëse ka në hetim dosje që lidhen me politikën.
“Do të ketë çështje në fushën e tenderave dhe është e qartë dhe në raportin e SPAK. SPAK ka bërë të ditur se po gjurmon dhe ndryshimet e emrave dhe aksioneve në QKB, në fushën e biznesit. SPAK po ndjek një metodologji. Ka dyshime se zyrtarët fshihen pas emrave të familjarëve. Nuk kam dijeni për dosje politike”, tha ajo.
Ndërkohë e pyetur lidhur me deklaratën e kreut të SPAK Altin Dumani, kur tha se kërkohet një mandat i dytë për prokurorët e kësaj strukture, pra mandati të bëhet me 18 vite, ajo u shpreh: Kjo është një kërkesë të cilën e parapriu Arben Kraja, por lidhet me garancinë që duhet t’i ofrohet çdo prokurori që heton krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta. Pra a do të qëndrojnë ata në detyra të tjera të përafërta apo do kthehen në prokuroritë e zakonshme, pasi të mbyllin mandatin në SPAK.
Po ashtu, Hoxha ka treguar se kush janë ish-zyrtarët që janë dënuar nga GJKKO, por që mund të përfitojnë nga amnistia e votuar sot në Kuvend, me 110 vota pro.
“Bëhet fjalë për zyrtarë të policisë, të nivelit të ulët. Anëtarë të komisionet të vlerësimit të ofertave që nuk janë në pozicione drejtuese. Ka kryebashkiakë që janë dënuar me punë publike, por janë dënuar nga GJKKO, por në fund të ditës kartela e tyre penale konsiderohet si e bardhë. Janë të lirë dhe janë në detyrë, i Mallakastrës dhe një tjerë në fakt janë në detyrë”, tha ajo.