Nga Genta Dobra
ndërsa Partia Socialiste i qëndron taksimit progresiv për pagat, edhe pse me një skemë të rishikuar.
Me variantin e ri të socialistëve, për të ardhurat deri në 40 mijë lekë individët nuk do të tatohen, për ata që marrin një pagë nga 40 mijë deri në 250 mijë lekë tatimi do të jetë 13% dhe për ata mbi këtë kufi të ardhurash taksa shkon në 23%.
Ekspertët e ekonomisë janë të ndarë në qëndrime lidhur me sistemin e taksimit që u duhet shqiptarëve, atë që sipas tyre përktheht në më pak barrë tatimore për qytetarët veçanërisht në këtë periudhë krize. Eduart Gjokutaj, ekspert për çështjet fiskale shpjegon se të dy filozofitë e taksimit kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre. Sistemi aktual që zbatohet mbi pagat, shton ai, godet shtresën e mesme, pasi kush fiton më shumë nga marrëdhënia si punëmarrës paguan më shumë. Por, as taksa e sheshtë për të nuk është një zgjidhje.
“Vetëm pasiguria është arsye mëse e mjaftueshme për të mos kaluar në një sistem të taksës së sheshtë. Taksa e sheshtë nuk është përgjigja për Shqipërinë, qoftë kjo edhe për një kohë të ardhme. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ketë ndryshime në sistemin aktual tatimor. Tatimi progresiv është mirë, por ai gjithsesi duhet të matet me disa kritere që të tregojë se ia vlen të jetë pozitiv për tatimpaguesit dhe ekonominë dhe të krijojë një barrë progresiviteti mbi të ardhurat sipas parimit mbi të cilin bazohet. Nga ana tjetër, ky tatim edhe pse ka funksionuar për një segment tatimpaguesish nuk është aplikuar mbi një
bazë tatimpaguesish të gjerë duke mos arritur dot të funksionojë si një tatim gjithpërfshirës”, deklaron Eduart Gjokutaj.
Një tjetër qasje ka eksperti Vjoldi Danaj mbi taksën e sheshtë, që për të është e duhura për një ekonomi të brishtë dhe me nivel të lartë informaliteti si ajo e Shqipërisë.
Taksimi progresiv i aplikuar që prej 2014-ës nga mazhoranca aktuale shton ai ka tkurrur ndjeshëm shtresën e mesme duke nxitur evazionin fiskal pasi individët janë prirur të fshehin të ardhurat për të shmangur tatimin e lartë, diçka që sipas tij do reduktohet ndjeshëm nëse gjen zbatim taksa 9%. “Taksa e sheshtë është e nevojshme për të stabilizuar ekonominë në periudha kohore afatshkurtëra, nga 2 deri në 4 vite. Për qytetarët dhe ringritjen e shtresës së mesme taksa e sheshtë është ajo e duhura. Por taksa e sheshtë nuk është efektive nëse përdoret përtej 2 ose 3 viteve sepse rrezikon të japë efektin e kundërt. Pastaj duhet kaluar në taksë gjysëm të sheshtë ose me 2 shkallë. Pra 10% për individët dhe një taksë tjetër 15% për bizneset,” shpjegon Danaj.
Pro taksimit të sheshtë, propozimit që vjen nga Partia Demokratike për 4-vjeçarin e ardhshëm nëse fiton zgjedhjet, është edhe eksperti Klodian Muço, sipas të cilit kjo taksë i barazon të gjithë dhe një masë e tillë i jep frymëmarrje biznesit të vogël, të mesëm e veçanërisht të vetëpunësuarve duke sjellë rritje të numrit të tyre, e rrjedhisht më shumë të ardhura në buxhet.
“Ne na intereson një sistem i sheshtë, sepse është më i thjeshë. Përdoret në shtete ku ka evazion të lartë fiskal. I sheshti presupozohet të jetë më i mirë për të luftuar informalitetin. Redukton barrën fiskale për individët dhe është më atraktiv për investime e huaja. Ka më pak kosto për biznesin dhe përllogaritet më thjeshtë,” deklaron Muço.
Nevoja për një sistem të thjeshtë tatimor është edhe pika ku bashkohen ekspertët, duke përforucuar edhe apelin e institucioneve financiare ndërkomëbtare si Banka Botërore e Fondit Monetar Ndërkombëtar në raportet e njëpasnjëshme për Shqipërinë.
Rishikimi i skemës nga socialistët pas 8 vitesh shpjegojnë ata rëndon sërish “trurin”, elitën e vendit pasi barra mbetet po tek ata, duke mos u zhvendosur te kapitali. E për më tepër, pabarazi krijon sipas tyre edhe zerimi i disa taksave për bizneset e vogla, teksa individi nga ana tjetër detyrohen të paguajë çdo detyrim ndaj shtetit.
“Taksa progresive e aplikuar deri më tani nuk funksionoi sepse nuk pati efektet e pritshme në të ardhura buxhetore. Edhe ndryshimet që propozohen unë mendoj se janë thjesht për fushatë elektorale. Një sistem i drejtë do të thotë që të jenë të gjithë konstribues, sepse taksohen individët 13% dhe 23% dhe iu hiqen taksat subjekteve të vogla”, u shpreh Klodian Muço. “Taksimi progresiv ka dështuar, duke favorizuar rritjen e evazionit fiskal dhe rritjen e përqëndrimit ekonomik. Pra ka përqendruar 80% të ekonomisë në duartë e 5% të popullsisë duke varfëruar gjithënjë e më shumë shtresën e mesme”, deklaron Vjoldi Danaj.
“Edhe brenda kësaj skeme pjesore taksimi progresiv ka gropa të krijuara për shkak të korrupsionit, evazionit bazuar te ekonomia informale, si dhe ndërhyrjeve të ndryshme në ligjin e tatimit mbi të ardhura, që kanë krijuar disproporcione të skemës”, tha Edurart Gjokutaj, ekspert për çështjet fiskale.
Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë rreth 13 mijë individë në të gjithë vendin që preken nga tatimi progresiv në masën 23%.
Në vitin 2014 kur nisi aplikimi i taksës progresive në vend, qeveria deklaronte se për 97% të individëve barra fiskale do të lehtësohej ndjeshëm, pasi sipas saj tashmë do të zbatohej parimi që do të taksohej më shumë kush paguhej më shumë.
Të njëjtën deklaratë përfaqësuesit e mazhorancës e risjellin edhe sot, në shpalosjen e programit qeverisës 2021-2025, por statistikat tregojnë se në Shqipëri qytetarët me paga më të larta tatohen më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit.
Serbia taton të ardhurat nga puna në nivelin 10% ndërsa për ato nga e drejta e autorit dhe qiratë në normën 20%. Mali i Zi nga ana tjetër aplikon një shkallë tatiore 9% për të ardhurat deri në 766 euro, teksa për individët që kapërcejnë këtë kufi taksimi shkon në 11%.
Taksim me dy shkallë ndjek edhe Maqedonia e Veriut, përkatësisht 10% për pagat deri në 1463 euro, ndërsa për çdo pagë mbi këtë nivel tatimi shkon në 18%.
Kosova ndërkohë zbaton një model taksimi me 4 fasha tatimi, individët me të ardhura deri në 80 euro përjashtohen nga tatimi, për ata me një pagë nga 80 – 250 euro tatimi shkon në 4%, për ata mbi këtë kufi e deri në 450 euro aplikohet tatimi në nivelin 8% ndërsa për individët që paguhen mbi 450 euro norma e tatimit është 10%.
Ndërsa Bosnje Hercegovina nga ana tjetër aplikon taksë të sheshtë 10% për të ardhurat personale. Nisur nga këto të dhëna, shkalla e tatimit 23% mbi pagat që zbatohet në vend është padyshim më i lartë ndërmejt vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
E pikërisht kjo vlerësojnë ekspertët, ka nxitur jo pak evazionin fiskal të tatimpaguesve, të cilët në përpjekje për t’iu shmangur tatimit të lartë kanë gjetur forma të tjera deklarimi si përmes regjistrimit si person fizik apo skemave të tjera të ndërmjetme.
Tatimi mbi të ardhurat personale në rajon
Kosovë 0%/ 4%/ 8%/ 10%
Shqipëri 0%/13%/23%
Serbi 10%/25%
Mali i Zi 9%/11%/15%
Maqedoni e Veriut 10%/18%
Bosnje Hercegovinë 10%
Burimi: Altax
