Shkëlzen Berisha ende nuk e ka sqaruar pozicionin e tij në çështjen ”Gërdeci”, pasi SPAK kërkoi thirrjen si dëshmitar në gjyqin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Bashkë me djalin e ish-kryeministrit, në listën me 71 persona për tu pyetur është edhe ish-ministri i mbrojtjes i kohës, Aldo Bumçi. Lidhja mes tyre, janë kontaktet e vazhdueshme dhe një shkresë e këtij të fundit e vitit 2007 me një shënim në cepin e majtë lart, me shkrim dore “për Shkëlzenin” e cila ka mbetur e paqartë edhe në procesin e parë.
Për këtë çështje, SPAK e pyeti Shkëlzen Berishën më 26 janar 2023, një muaj para dërgimit të dosjes në gjyq. Pas asaj dëshmie, Shkëlzen Berisha, pranoi se shënimi me emrin e tij në letrën e ministrit të drejtësisë ishte një mister 15 vjeçar, por vetë nuk kishte një shpjegim.
“S’kam asnjë lidhje me të. Prokuroria duhet t’i thotë publikut se kush e ka bërë atë shënim. Unë nuk kam asnjë lidhje. Prokuroria t’i thotë publikut se e kujt është kaligrafia, nëse nuk është falsifikim. Që unë të futem në Ministrinë e Drejtësinë nuk do të thotë që unë marr vendime”, tha Shkëlzen Berisha më 26 janar.
Shkëlzen Berisha gjendet së pari para detyrimit për të dëshmuar, pasi nëse refuzon, shkel nenin 307 të Kodit Penal, i cili parashikon se “refuzimi për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth dijenisë për kryerjen e një vepre penale apo të autorit të saj, përbën dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”. Në vazhdim të këtij detyrimi, Shkëlzen Berisha është i shtrënguar të tregojë të vërtetën në gjykatë, pasi në të kundërt, shkel nenin 306 të Kodit Penal që parashikon se “dëshmia e rreme e bërë përpara gjykatës përbën kundërvajtjepenale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”. Kur dëshmia e rreme bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tri vjet.