Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, thotë se shpreson që Presidenca suedeze e Këshillit të Bashkimi Evropian të ketë rezultate konkrete në bisedimet që po bën me anëtarët e tjerë të Unionit në lidhje me aplikimin e Kosovës për në BE. Sipas saj, ky shtet gjatë presidencës së saj është treguar i gatshëm për të çuar përpara kërkesën e Kosovës.
“Ne shpresojmë që Presidenca suedeze të finalizojë bisedat që po zhvillon me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të vijnë me një rezultat konkret, parashikimi se cili mund të jetë rezultati dhe kur nuk jam në gjendje të jap se nuk do të ishin serioze por besoj që me qasjen të cilën Suedia ka pasur gjatë presidencës së saj është treguar shumë e gatshme për të çuar përpara kërkesën tonë dhe për të biseduar me të gjithë anëtarët, pra edhe me ata që janë përkrahës të kërkesës sonë dhe me ata që hezitojnë pak më shumë”, tha Gërvalla.
Poa shtu Gërvalla theksoi edhe se takimet e tilla ku marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Ballkani Perëndimor janë mundësi e mirë për të diskutuar sfidat për të cilat është duke kaluar Evropa dhe rajoni ynë.
“E rëndësishme është gjithashtu që Evropa ka filluar, Bashkimi Evropian ka filluar të ndërgjegjësohet që Ballkani Perëndimor jo vetëm që është pjesë gjeografike e Evropës por duhet edhe më shumë të afrohet politikisht me Bashkimin Evropian me qëllim që në një të ardhme integrimi të jetë i shpejtë dhe i natyrshëm”, tha ministrja.
Gërvalla tha se në këtë takim e kanë paraqitur qartë pozicionin e Kosovës në lidhje me raportet me Serbinë, ndërsa kanë kujtuar se Beogradi zyrtar në vazhdimësi refuzon të zbatojë marrëveshjen e 27 shkurtit të arritur në Bruksel dhe aneksin e saj të 18 marsit në Ohër.
