Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka sqaruar se pse ai merr pjesë në takimet e opozitës që drejtohen nga Sali Berisha. I ftuar në emisionin “Open”, ai thotë se nuk shkon për të certifikuar Berishën si kryetar, por për të dhënë kontributin e tij për të ndërtuar një aksion të përbashkët.
Sipas tij, Sali Berisha ka një peshë elektorale reale dhe historike pa të cilën nuk mund të bëhen llogaritë e aksionit opozitar.
Ndërkohë Gjekmarkaj thekson se ristabilizimi i marrëdhënieve me SHBA është fondamentale për një parti që pretendon pushtetin.
Agron Gjekmarkaj: Unë nuk kam shkuar tek PD e Sali Berishës, nuk kam shkuar ta njoh apo ta certifikoj Sali Berishën si kryetar, unë kam shkuar në takim të opozitës ku çdo kush duhet të shkojë dhe të japë kontributin për të ndërtuar një aksion dhe strategji të përbashkët duke filluar nga Parlamenti.
Faktorët nuk kanë të gjithë të njëjtën peshë. Sali Berisha ka një peshë elektorale reale dhe historike pa të cilën ti nuk e bën dot llogarinë e aksionit opozitar, pa numrat e të cilit ti nuk ndërton dot një opozitë të bashkuar dhe je i detyruar të bësh përpjekje dhe të gjesh mënyrën si të bashkohet opozita duke ruajtur autonominë në qëndrime.
Pyetje: A keni hequr dorë nga qëndrimi se Berisha duhet pezulluar nga grupi i PD?
Agron Gjekmarkaj: Berishën e ka pezulluar Basha nga grupua i PD pa pyetur institucionet e partisë dhe e deklaroi se ishte një vendim personal. Vendimi ka qenë i vështirë dhe më pasoja të rënda për opozitën. Por në atë kohë unë kam shpresuar se Berisha do ndiqte një linjë tjetër për tu mbrojtur , por ai ndoqi një tjetër dhe pasojat tani janë të ditura. Por e quaj restaurimin ose ristabilizimin e marrëdhënieve me SHBA fondamentale për një parti politike që pretendon pushtetin në Shqipëri, duke ditur cili është ndikimi i këtij shteti në botë, rajon, dhe mbi të gjitha në hapësirën shqiptare në rrafshin e sigurisë.