Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul paralajmëroi sot Rusinë kundër provokimeve që synojnë territorin e NATO-s dhe përsëriti thirrjet që Moska të kthehet në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Duke folur në sesionin e 72-të vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Berlin, Wadephul theksoi se aleanca do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj, pas shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore ku dronë dhe raketa kanë hyrë në territorin e Polonisë.
“Ne do të mbrojmë gjithmonë çdo centimetër të territorit tonë të NATO-s. Kjo është absolutisht e qartë”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjes së një ligjvënësi polak.
“Pra, z.Putin mos gaboni, ne jemi një aleancë mbrojtëse, por jemi të gatshëm të mbrojmë veten, vendet tona dhe aleancën tonë”, theksoi ai.
Thirrje ndaj Putinit për negociata
Wadephul kujtoi se Porta e Brandenburgut, e cila ndodhet vetëm pak kilometra larg vendit ku po zhvillohet takimi, është vendi ku ish-presidenti amerikan Ronald Reagan i ka bërë thirrje dikur Mikhail Gorbachevit, liderit të fundit sovjetik, që të shembte Murin e Berlinit.
“Po ju them tani, z.Putin ndaleni këtë luftë. Ejani në tryezën e negociatave, sillni paqen në Evropë”, tha ai.
Wadephul rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë për Ukrainën, duke thënë se “Kievi po mbrohet në mënyrë heroike ndërsa Rusia po bëhet më brutale se kurrë, por gjithnjë e më pak e suksesshme”.
Evropa duhet të përfshihet në bisedime
Duke iu referuar përpjekjeve diplomatike, Wadephul përmendi samitin e “Koalicionit të të Gatshmëve” (Coalition of the Willing) të mbajtur javën e kaluar, ku liderët evropianë përcaktuan parimet për paqen dhe rikonfirmuan gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në negociata së bashku me Ukrainën.
“Tani është koha për ta bërë këtë”, tha Wadephul.
“Gjëja thelbësore është që Rusia duhet ta ndalë luftën dhe të tregojë gatishmëri për të hyrë në negociata serioze, për një paqe që do të sigurojë stabilitet afatgjatë për Ukrainën dhe siguri për Evropën”, shtoi ai.
Kryediplomati gjerman theksoi se vendet evropiane duhet të jenë të përfaqësuara në tryezën e negociatave dhe falënderoi administratën e Trumpit për përpjekjet e saj të fundit diplomatike.
“Ne nuk jemi në luftë, por sigurisht që nuk jemi më as në paqe”, tha Wadephul duke argumentuar se Rusia e vë në shënjestër Evropën pothuajse çdo ditë përmes sulmeve hibride, planeve për atentate si dhe dronëve e raketave që hyjnë në hapësirën ajrore të NATO-s. “Kjo është arsyeja pse është thelbësore që edhe kombet tona evropiane të jenë në tryezë gjatë negociatave”, shtoi ai.
“Dhe është shumë pozitive që negociatorët tanë amerikanë dhe përfaqësuesit evropianë po punojnë ngushtë së bashku dhe me Ukrainën. Të gjithë jemi dakord, asnjë vendim për Ukrainën pa Ukrainën. Asnjë vendim për sigurinë euroatlantike pa Evropën”, tha kryediplomati gjerman.
