GJKKO ka lënë në fuqi masën ‘arrest në burg’ për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i arrestuar pasi akuzohet se përfitoi 3.7 mln euro nga inceneratori i Elbasanit.
Në mes të dhjetorit 2021, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në burg ish-ministrin: “Gjykata vendosi vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Lefter Haki Koka me vendimin Nr. 100, datë 12.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhej ne vendimin e siguruar nga Panorama.
Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor 2021 për skandalin e incineratorëve, ndërsa GJKKO caktoi në datën 16 dhjetor masën e sigurisë “arrest me burg” dhe aktualisht ai po mbahet në paraburgimin e 313.
SPAK akuzon Lefter Kokën për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion për incineratorin e Elbasanit.
Ndërkohë në kërkim janë dhe administratorët e firmave fituese të incineratorit, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.
Lefter Koka ka shërbyer si ministër i Mjedisit në qeverinë “Rama” përgjatë viteve 2013-2017 dhe më pas ka qenë deputet deri në vitin 2021. Kujtojmë që Lefter Koka u rizgjodh deputet i qarkut të Durrësit në zgjedhjet e 25 prillit, por hoqi dorë nga mandati.
