Kandidatja për deputete e PS në Tiranë, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka vijuar turin e takimeve elektorale në Njësinë 7 në kryeqytet.
“Kurrkush më mirë se ne nuk mundet të vazhdojë e të çojë përpara atë çka u nis, u ndërpre apo u pengua për shkak të tërmetit dhe pandemisë. Pikërisht këto dy fatkeqësi të papritura na shtojnë ndërgjegjësimin për të kryer çfarë nisëm e çfarë na doli në mes të udhës tonë të përbashkët me qytetarët tanë. Zgjedhjet dhe vota për Partinë Socialiste janë mision, janë shprehje vullnetplotë e angazhimeve dhe përgjegjësive janë bindshmëri për të qenë krah për krah me çdo të metë dhe meritë që buron dhe rrjedh për dhe nga qytetarët. Fushata po ecën ritmikisht dhe ne socialistët kemi dëshmuar që nuk shkojmë askund pa një plan të qartë, pa program apo me ide të cunguara”, shtoi Gjonaj.
Ajo nënvizoi se “mesazhet që marrim nga zgjedhësit janë më shumë se thjesht mbështetës”.
“Padyshim që ajo që kemi bërë për drejtësinë nuk mund të harrohet, sepse edhe nëse e anashkaloj unë për një çast, janë qytetarët që e kujtojnë. Pikërisht përparësitë e PS-së, janë pra kjo reformë, lufta kundër korrupsionit, krimit, krimit të organizuar, moria e politikave shoqërore, që kemi nisur dhe dhe duam t’i vazhdojmë e t’i përfundojmë, rindërtimi dhe pandemia dhe padyshim lidhen ngushtësisht edhe me mua”, deklaroi ministrja.
“Misioni i madh i Partisë Socialiste është të reformojë Shqipërinë dhe të ndërtojmë një vend europian në standarde, pasi paraardhësit tanë e lanë vetëm gjeografikisht pjesë të saj. Oferta jonë politike është kryekëput e ndryshme nga ajo e kundërshtarëve tanë në zgjedhje”, theksoi Gjonaj.
“Reforma në Drejtësi dhe jetësimi i saj ka qenë gjatë këtyre 4 viteve një sfidë jetike për të ardhmen e drejtësisë, një luftë e përditshme, ku gjithmonë kanë qenë dy palë, si dy botë, ne në krah të kësaj reforme dhe që e kemi mbrojtur dhe mbështetur fort dhe pala tjetër që e ka penguar, e ka bllokuar, e ka goditur me çka kanë mundur dhe si kanë mundur. Dhe janë këta pala tjetër, që janë bashkuar të gjithë në një kontratë politike dhe interesash për zgjedhjet e ardhshme, por më shumë sesa 25 prilli, i bën bashkë frika ndaj Reformës në Drejtësi. Këto 4 vjet të vështirë për ndërtimin e sistemit të ri të drejtësisë na kanë mësuar dhe na kanë treguar se sa i kalbur dhe i kapur ishte sistemi i drejtësisë dhe se lufta për të bërë drejtësinë ia ka vlejtur”, deklaroi Gjonaj.
Ajo shtoi se “sot themi me plot bindjen se sistemi i ri i drejtësisë bazohet në një kuadër kushtetues dhe ligjor të plotë të miratuara 4 vite më parë, që shmang çdo ndikim politik në funksionimin e gjyqësorit. Ky kuadër ligjor u fuqizua dhe më shumë përmes ndryshimeve të sjella nga paketa ANTIKÇK, për të goditur edhe me thellë fenomenet korruptive që kanë ngërthyer jo pak herë gjyqësorin. Të gjitha këto, vetëm për të mbajtur të fortë, e për ta shpëtuar drejtësinë e gangrenizuar nga gjyqtarë e pushtetarë të korruptuar, të cilët e përdorën sistemin në funksion të të fortit dhe jo të drejtësisë”.