Shtetasi kinez Liangbin Chen, i arrestuar në Korrik 2022 në Tiranë, nuk do të ekstradohet në vendin e tij të origjinës. I akuzuar për një mashtrim mbi 145 milionë dollarë, Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e Apelit, duke refuzuar ekstradimin e Liangbin Chen.
Sipas autoriteteve kineze, i riu kishte ngritur një perandori të vërtetë kumari dhe bastesh online, me të cilën dyshohet se ka mashtruar mbi 9 milionë persona.
Shqipëria nuk ka një marrëveshje me Kinën, mes të tjerash, ndërkohë që anëtarët e Gjykatë së Lartë janë shprehur se, nuk kishte garanci se ky shtetas nuk do të ndiqej politikisht apo për një vepër penale më të rëndë. Po ashtu, trupa gjykuese ka konstatuar se akuza e Kinës nuk ishte saktësuar.
Në vitin 2019, Liangbin Chen ishte rezident në Dubai dhe ka krijuar kompaninë “Hui Yuan”, me aktivitet kryesor krijimin e platformave të basteve online. Me bashkëpunëtorët e tij, krijuan disa faqe interneti bastesh dhe kumari, ndër të cilat “YiFA chess and cards”, “588 Chess and card” dhe “A8 Entarteinment”.
Aplikacionet e basteve dhe kumarit kishin lojtarë të rremë të krijuar në servera, të cilët u krijonin bindjen përdoruesve se po përballeshin me kundërshtarë të vërtetë. Nga mashtrimet kompjuterike kombinoheshin fitore e humbje me qëllim që t’i mbanin lidhur përdoruesit me faqet e kumarit, duke i siguruar grupit kriminal miliona dollarë përfitime.
Liangbin Chen, me profesion programues kompjuterik rezultonte në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohej për “Mashtrim me pasoja të rënda”. Ai ka qenë drejtuesi i grupit kriminal dhe tashmë do të qëndrojë në Shqipëri, në një kompleks rezidencial në periferi të Tiranës.
