Anëtarët e apelit të Gjykatës së Hagës për Krimet e Luftës rritën ndjeshëm dënimet e dy aleatëve të ish presidentit serb Slobodan Millosheviç, duke i konsideruar ata përgjegjës për krime në Bosnje dhe në një qytet në Kroaci. Dhoma e apelit e Mekanizmit Ndërkombëtar të Gjykatës Penale përmbysi të mërkurën vendimin për pafajësinë e tyre dhe i rriti dënimet e Jovica Stanishiçit dhe Franko Simatoviçit nga 12 në 15 vjet.
Gjykata e Apelit e Kombeve të Bashkuara vendosi të rrisë dënimet për dy aleatë të ish presidentit jugosllav, Slobodan Miloshevic, nga 12 në 15 vjet.
Ata mbahen përgjegjës për përfshirje në krime në të gjithë Bosnjën dhe në një qytet në Kroaci si pjesëtarë të një plani kriminal për të dëbuar banorët jo-serbë nga shtëpitë e tyre gjatë luftërave në ish Jugosllavi.
Jovica Stanishiç dhe Franko Simatoviç u dënuan para dy vjetësh për krime lufte të kryera nga paraushtarakët serbë në vitin 1992 në Bosnje, por u liruan nga përgjegjësia për krime të tjera. Dhoma e Apelit i anuloi të dyja këto vendime dhe njëkohësisht rriti dënimet e tyre.
“Ata realizuan qëllimin e përbashkët kriminal për të larguar me forcë dhe përgjithmonë shumicën e joserbëve nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, përmes kryerjes së krimeve që janë të përfshira në aktakuzë”, tha kryetarja e trupit gjykues, Graciela Gatti Santan.
Vendimi i apelit i jep fund procesit më të gjatë të krimeve të luftës nga luftërat ballkanike të fillimit të viteve 1990.
Asnjëri prej tyre nuk tregoi ndonjë emocion ndërsa Gjykatësja Gatti Santana dha dënimin.
Stanishiçi ishte i pranishëm në gjykatë për të dëgjuar vendimin, ndërsa Simatoviçi mori pjesë përmes një video lidhjeje me internet nga një njësi e paraburgimit të OKB-së.
Gjykatësja Gatti Santana e quajti vendimin e apelit “një moment historik” për gjykatën. Kjo gjykatë merret me çështjet e mbetura nga gjykatat e krimeve të luftës të OKB-së, tanimë të mbyllura, për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën. Ky ishte rasti i fundit që kishte të bënte me krimet e luftës në ish Jugosllavi.
Kohëzgjatja e këtij procesi nënvizon vështirësitë për të provuar me sukses krimet e luftës në gjykatat ndërkombëtare, ndërsa janë shtuar thirrjet ndërkombëtare, që autorët e krimeve gjatë luftës në Ukrainë të sillen para drejtësisë.
Stanishiçi, ish-kryetar i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, dhe Simatoviçi, operativ i lartë i inteligjencës në këtë shërbim, janë të vetmit zyrtarë të Serbisë që janë dënuar nga një gjykatë e OKB-së për përfshirje në krime në Bosnje.
Një proces gjyqësor kundër Slobodan Millosheviçit për nxitjen e konflikteve të përgjakshme në ish Jugosllavi, nuk përfundoi për shkak të vdekjes së tij gjatë kohës që mbahej nën arrest në vitin 2006, përpara se të merrej vendimi.
Stanishiçi dhe Simatoviçi fillimisht u shpallën të pafajshëm para një dekade nga gjykata e OKB-së për krimet e luftës në Jugosllavi, por një dhomë apeli më vonë urdhëroi rigjykimin./ Voa