Pas afro një jave Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër vendosi vlefshmërinë e mandateve për kryebashkiakët e Dibrës e Bulqizës, Dionis Imeraj dhe Lefter Alla.
Pas këtij vendimi pritet që Alla e Imeraj të zëvendësojnë kryetarët në detyrë Melaim Damzi e Muharem Rama, përfaqësues të LSI-së dhe PS-së.
Pas shpalljes së vendimit kryetari i ri i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla ka rifalenderuar zgjedhësit e tij në rrjetin social Facebook.
Postimi i Lefter Allës:
Sot u njohëm me vendimin e Gjykatës së Rrethit Dibër, e cila zyrtarizoi
mandatin tim për Kryetar të Bashkisë Bulqizë, të fituar me votat tuaja më 30
qershor.
Dëshiroj edhe njëherë të shpreh mirënjohjen time ndaj të gjithë banorëve të Bashkisë Bulqizë; ndaj atyre që më votuan dhe atyre që nuk iu drejtuan kutive të votimit; ndaj atyre që më besuan dhe atyre që ishin skeptik ndaj meje; ndaj atyre që jetojnë në qytet dhe atyre që jetojnë në çdo cep të Bashkisë tonë!
Dua t’ju siguroj edhe njëherë se gjatë katër viteve të ardhshme unë do të punoj me përkushtim, këmbëngulje dhe sinqeritet për të qenë në shërbimin e të gjithëve, duke garantuar transparencën e munguar deri më sot në qeverisjen vendore.