Këtë të hënë në Gjykatën e Hagës nis gjykimi ndaj katër ish-krerëve të lartë të UÇK-së, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.
Ata ndodhen në paraburgimin e Gjykatës Speciale që prej vitit 2020. Pas marshimit që u mbajt një ditë më parë në Kosovë, ku mijëra njerëz u mblodhën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, një tjetër protestë është thirrur sot para Gjykatës Speciale.