Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë në të cilën përfshihet edhe gjykimi që po i bëhet në Hagë luftës së Kosovës. Kuvendi, me anë të kësaj rezolute, e konsideron këtë gjykim si të padrejtë. Vlen për t’u theksuar se Parlamenti i Kosovës mban për herë të parë një qëndrim të tillë.
Në Hagë janë duke u gjykuar ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati e Pjetër Shala. Të gjithë këta personalitete akuzohen nga Gjykata Speciale atje për krime lufte.
Gjithashtu në rezolutë përmendet edhe fakti se Serbia nuk është distancuar nga krimet e saj në Kosovë.
“Kuvendi i Kosovës përkujton se shteti i Serbisë asnjëherë nuk është distancuar nga krimet dhe gjenocidi në Kosovës, si dhe ende heziton të nxjerrë para drejtësisë kriminelët e luftës. Në vend se Serbia të ishte e dënuara, sot Kosova dhe lufta e saj po gjykohen padrejtësisht”, shkruhet në tekst-rezolutën e miratuar sot.
Pavarësisht kësaj, kjo rezolutë kishte për qëllim kryesor dënimin e pushtimit të Rusisë në Ukrainë dhe u miratua nga Kuvend i Kosovës me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
