Ish çifti i bashkëshortëve, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, do të gjykohen në një proces, të pandehur përkorrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Gjykata e Posaçme ndau më vete me gjykim të shkurtuar tre të pandehurit e tjerë. Edhe në këtë seancë gjykata i nxori kamerat jashtë duke mos lejuar transmetimin live. Ilir Meta u shfaq sërish brenda kafazit të qelqtë, çka sipas avokatit shkel dinjitetin njerëzor.
Brenda kafazit të qelqtë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Posaçme, ish-presidenti i pandehur, Ilir Meta, mundi të komunikojë vetëm me shenja, siç tregojnë fotot e shkrepura para çeljes zyrtarisht të seancës. Kjo është e vetmja mënyrë, në kushtet kur mikrofoni brenda kafazit është i mbyllur, dhe mund të hapet vetëm kur gjyqtari i jep fjalën.
Me avokatin, iu desh të komunikojë duke u përkulur për të arritur një hapësirë disa centimetërshe në xham. Më i qeshur, në këtë seancë të dytë të gjyqit në themel, Ilir Meta përshëndeti gazetarët dhe të pranishmit në sallë, me gjestin e shqiponjës dykrenare.
Përballë tij, në sallë përkrah avokatit të saj, ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, me të cilën sërish nuk pati asnjë përplasje shikimesh. Nëna e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, dhe i pandehuri tjetër në proces, Pirro Xhixho, u përfaqësuan vetëm me avokat.
Mediat e kanë kërkuar zyrtarisht, por edhe palët në proces dhanë dakordësi që seanca të jetë live, por pa dhënë shpjegime, gjyqtarja Etleva Deda kërkoi që kamerat, të cilat u lejuan vetëm gjatë në diskutimeve teknike të procesit, të dalin jashtë. Vendimi solli reagimin e avokatit të Ilir Metës, Kujtim Cakrani.
“Ky është procesi i vitit, mediat duhet ta transmetojnë live. Nuk duhet t’i ndalini mediat për transmetim live. Nuk keni asnjë bazë ligjore të ndërprisni transmetimin live të mediave”, tha Çakrani.
Në përgjigje gjyqtarja Etleva Deda tha se nëse seanca do të transmetohej live, do të krijonte presion publik dhe mediatik.
Avokati Kujtim Cakrani, i kujtoi se procese me rëndësi të veçanta në Shqipëri janë bërë të hapura, por gjyqtarja theksoi se kamerat nuk do të lejohen, dhe se kushdo që dëshiron ta ndjekë gjykimin në sallë, mund ta bëjë atë.
“Salla është e vogël, mbase do të vijë e gjithë partia, por këtu nuk ka vend, ka vend vetëm për 30 veta”, tha Cakrani duke shtuar se janë 200 vetë sipas tij që ndodhen jashtë e duan të shohin nga afër procesin.
“Miting ne nuk bëjmë këtu tani”, u përgjigj gjyqtarja, e cila autorizoi sigurinë të verifikojë nëse ka persona jashtë, por nuk rezultuan.
Edhe Monika Kryemadhi instistoi për një proces të hapur, duke thënë se “me këtëintimidim dhe linçim që sipas saj i është bërë, duhet të jetë një seancë e hapur që shqiptarët të shohin provat.
“Në Amerikë -theksoi ajo – edhe vrasësi ulet jashtë kafazit, duke shtuar se pa një vendim të formës së prerë prezumohet e pafajshme”.
Avokati i Ilir Metës ironizoi edhe4sallat e reja gjyqit të inauguruara këtë të hënë, por sërish me kafazet e qelqta të të paraburgosurve. Ai ju drejtua togave të zeza duke pyetur se ku e kanë “dinjitetin njerëzor më sallat e reja, kur presidenti qëndron në kafaz me xhama”.
Monika Kryemadhi kërkoi të gjitha përgjimet, ndërsa gjyqtarja tha se çdo gjë qe ka ardhur nga seanca paraprake, palët do e marrin.
Më pas seanca vijoi me leximin e parashtrimeve nga ana e prokurorëve, të cilët kujtuan edhe një herë provat ndaj të pandehurve për aferën e CEZ-DIA, lobimin në SHBA, apo edhe marrëdhënien korruptive me biznesmenin Adrian Shatku, kushëri i Monika Kryemadhit. Vetëm për këtë marrëdhënie SPAK tha se ish çifti përfituan rreth 526 mijë dollarë, 234 mijë dollarë blerje nga Kryemadhi me kartën e kreditit dhe pjesa tjetër për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nxiti reagimin e ish kryetares së LSI e cila akuzoi prokurorët si mashtrues, ndërsa Presidenti i PL Meta i kujtoi edhe një herë gjykatës që është i divorcuar nga Kryemadhi dhe s’mund të mbajë asnjë përgjegjësi për veprimet e saj.
“Në respekt të gjykatës duhet të sqaroj: në seancën paraprake edhe zonja Gjoka e ka kuptuar këtë histori. Unë kam statusin ‘i divorcuar’. Unë mos të mbaj përgjegjësi çfarë ka bërë Kryemadhi në të kaluarën pa dijeninë time. Përgjegjësia ime është individuale. Më trego një shpenzim që kam bërë unë. Edhe orën e kam prej para 20 vitesh. Nuk u kushtoj shumë rëndësi këtyre”, tha ai, duke pretenduar se edhe orën e ka të vjetër prej 20 vitesh
Gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar, për tre të pandehurit e tjerë, nënën e Monika Kryemadhit, Ema Çokun, mikeshë e saj, të akuzuara për pastrim parash, si dhe ish kreun e AKEP Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.
