Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama ku i bënte thirrje që të mos “lajthisë” duke miratuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve, të cilët kërkojnë rritje pagash me 700 euro.
Kushtetuesja e konsideron një formë ndikimi dhe përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj dhe që do të cenonte parimet themelore të shtetit të së drejtës. Gjykata thotë mes të tjerash se është e pavarur dhe se nuk ndikohet në marrjen e vendimeve të saj.
”Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.
Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve”,-thuhet në qëndrim.
