Në ndeshjen midis Flamurtarit dhe Kukësit, përveç erës së fortë, ra në sy edhe një arbitrim me gabime të theksuara. Kryesori Olsi Sokoli në disa raste, ngurroi të marrë vendime të sakta, duke dëmtuar kryesisht klubin vlonjat. Bie në sy një gol i shënuar nga Pollozhani, i cili padiskutim ishte një prej golave më të bukur në kampionat këtë sezon. Por, pa dashur të përfshihet interpretimi i rregullores, duke e parë gotën gjysmë plot apo gjysmë bosh, mjafton të shikosh gola të ngjashëm në kompeticione europiane, për të kuptuar se si arbitrat ndërkombëtarë interpretojnë rregulloren dhe e konsiderojnë gol.
Por, në fakt ai nuk ishte i vetmi rast tejet i diskutueshëm. Vendimet që lanë shumë për të dëshiruar, ishin të disa ndërhyrje të gabuara në afërsi të zonës së Kukësit, për të cilat arbitri Sokoli nuk i akordoi. Nuk dihet nëse e mendoi se nuk ishin faull, apo sepse mund të konsideroheshin goditje dënimi me rrezikshmëri shënimi.
Sërish, nuk mjafton kaq. Pasi në të paktën dy raste, arbitri anësor Rejdi Zaimi akordoi gabimisht pozicion jashtë loje, në dëm të Flamurtarit, ndërkohë që me pamje filmike, dallohej qartësisht që futbollistët e klubit kuqezi ishin në pozicion të rregullt.
Me justifikimin se arbitrat “gabojnë në të gjithë botën”, lind natyrshëm pyetje: Në Shqipëri a ka penalizime, kur gabojnë në mënyrë sistematike brenda një takimi?! A ekzistojnë dënime të rëndësishme, në rastet kur një gjyqtar, me ose pa dashje ndikon thelbësisht në fatin e një ndeshje?! Dhe me përgjigjen e kësaj pyetje, kuptohet edhe dallimi midis drejtësisë së kërkuar dhe drejtësisë së “imponuar” brenda institucionit…