Garet Bejl ka lënë më në fund shenjën e tij te Totenhemi, duke u bërë një protagonist i rëndësishëm i skuadrës londineze në fitoren e sotme 2-1 ndaj Brajton, që ka ngjitur skuadrën e Zhoze Murinjos në vendin e dytë në renditje. Një gol shumë I rëndësishëm për uellsianin, që ka mbyllur shpejt gojën e kritikëve që e shihnin atë si një peshë te londinezët, më shumë se një armë të mirëfilltë për të bërë diferencën në këtë sezon.
Totenhemi kishte shënuar i pari me penalltinë e Kejn në pjesën e parë por Lemptei për miqtë barazoi shifrat në fillimin e pjesës së dytë, duke prishur planet e Murinjos i cili kishte menduar një ndeshje më të qetë për të ruajtur forcat për Europën. Ai hodhi në fushë Bejl në minutën e 70 dhe kjo rezultoi zgjedhja më e goditur, pasi sulmuesit iu deshën vetëm tre minuta në lojë për të tundur rrjetën.
Në minute e 73-.të, pas një pasimi të Regijon, uellsiani devijoi sferën në rrjetë, duke shënuar golin e fitores 2-1 që tashmë afron Totenhemin me Liverpulin e vendit të parë, Një arritje për ekipin e Murinjos i cili ka një statistikë të rrallë për skuadrat që drejton, sepse përveç një prej mbrojtjeve më të forta me vetëm 9 gola të pësuar në këto 7 javë, ai ka edhe sulmin më të fortë me 19 rrjeta të tundura në Premier Ligë.
