Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka deklaruar se ekonomia e eventeve ka luajtur një rol kyç në rikuperimin e turizmit gjatë muajit korrik, duke përmirësuar ecurinë e sezonit veror dhe duke rikthyer trendin pozitiv të vizitorëve të huaj.
Sipas të dhënave të publikuara nga ministri, gjatë korrikut 2026 Shqipëria u vizitua nga 1,955,099 turistë të huaj, kundrejt 1,825,490 vizitorëve në të njëjtin muaj të vitit 2025. Kjo përkthehet në 129 mijë e 609 vizitorë më shumë, ose një rritje prej 7,1% në baza vjetore.
Po ashtu, krahasuar me qershorin 2026, në korrik u regjistruan 608 mijë e 820 vizitorë të huaj më shumë, duke shënuar një rritje mujore prej 45,22%.
Gonxhja thekson se këto shifra tregojnë një rikuperim të fortë pas ngadalësimit të regjistruar në qershor. Ndërsa periudha janar-maj 2026 shënoi një rritje prej 8,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ritmi i rritjes zbriti në 1,3% në qershor, për t’u rikthyer sërish në 7,1% gjatë korrikut.
Megjithatë, ministri vëren se, nëse qershori do të kishte vijuar me të njëjtin ritëm rritjeje si pesëmujori i parë, numri i vizitorëve në korrik do të arrinte në rreth 2,094,542 turistë, ose 139 mijë e 443 vizitorë më shumë se rezultati faktik. Sipas tij, kjo diferencë lidhet edhe me ndikimin e protestave dhe episodeve të sulmeve ndaj bizneseve të industrisë së mikpritjes, të cilat i cilësoi si shqetësuese për sektorin.
Nga ana tjetër, Gonxhja nënvizoi se aktivitetet kulturore, artistike dhe eventet ndërkombëtare kanë qenë vendimtare për të gjeneruar turizëm dhe për të nxitur ekonominë gjatë korrikut. Ai veçoi festivalet, itineraret tematike, koncertet dhe shfaqjet artistike, përfshirë edhe eventin e organizuar nga Ye në Tiranë, koncertin e Zucchero, si dhe konferencat dhe aktivitetet e ndryshme ndërkombëtare të zhvilluara në vend.