Policia e Lezhës bën të ditur se është identifikuar një prej dy autorëve të grabitjes në Spiten të Lezhës, ku u dhunuan fizikisht dhe çifti i bashkëshortëve. Mësohet se në kërkim është shpallur 23-vjeçari Pavlin Dokaj.
NJOFTIMI
Zbardhet ngjarja e ndodhur në Spiten, Lezhë, ku 2 shtetas vodhën me dhunë në banesën e një çifti bashkëshortësh.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri prej autorëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur gjatë orëve të para të datës 24.05.2021, në Spiten, Lezhë, ku 2 shtetas i vodhën me dhunë një sasi lekësh dhe 2 aparate celularë shtetasve Gj. D., 57 vjeç dhe V. D., 47 vjeçe, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasi P. D.,23 vjeç, banues në Spiten, Lezhë.
Nga ana e Policisë vijon puna ndalimin e 23-vjeçarit P. D. dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të dyshuar si i implikuar në këtë ngjarje, me qëllim vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim.
