Pas gati 43 vitesh Greqia dhe Italia kanë nënshkruar një marrëveshje për ndarjen e ZEE, duke finalizuar kështu kuadrin dypalësh të delimitimit të hapësirave detare. Një marrëveshje e tillë është e rëndësishme për çdo shtet pasi u mundëson atyre ushtrimin e sovranitetit të plotë dhe të drejta sovrane në një zonë të përcaktuar qartë me koordinata dhe shfrytëzimin e plotë të resurseve natyrore. Por çfarë do të thotë kjo marrëveshje për Shqipërinë, teksa jemi ende në procesin e bisedimeve me shtetin grek për ndarjen e ZEE-ve?

Në një intervistë për tirananews.al, Dr. Shk. Glevin Dervishi, një njohës i politikës së jashtme të Greqisë dhe si anëtar i ekipit shqiptar në negociatat dypalëshe thotë se kjo marrëveshje e arritur mes Greqisë dhe Italisë hap mundësinë që edhe vendi ynë të përfundojmë ndarjen e ZEE me Italinë, sepse në marrëveshjen e vitit 1992 me Italinë ne kemi delimituar vetëm Shelfin Kontinental.

“Përfundimi i procesit të delimitimit të hapësirave detare duhet të jetë një çështje e rëndësisë strategjike për Shqipërinë jo vetëm prej faktit që ndajmë qartë zonat me fqinjët, ushtrojmë sovranitet të plotë dhe të drejta sovrane por është edhe në themel të politikës së fqinjësisë së mirë në kuadër të procesit të integrimit në BE, ndaj duhet të kapim ritmin duke gjeneruar konsensus kombëtar për çështje të tilla me interes strategjik”, shprehet z. Dervishi.

INTERVISTA E PLOTE

Z. Dervishi, Greqia dhe Italia kanë nënshkruar një marrëveshje për ndarjen e ZEE, duke përmbyllur kështu një hap të rëndësishëm mes Italisë dhe Greqisë për ndarjen e plotë të hapësirave detare mes dy vendeve. Çfarë parashikon kjo marrëveshje?

Greqia dhe Italia nënshkruan në datë 9 qershor 2020 marrëveshjen për delimitimin e ZEE, e cila finalizon kuadrin dypalësh mbi delimitimin e hapësirave detare së bashku me marrëveshjen e mëparshme atë të delimitimit të Shelfit Kontinental mes të dy vendeve të nënshkruar në 24 maj 1977. Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982 përcakton se hapësirat detare mes shteteve përbëhen nga tre komponentë kryesor:

  • Neni 3. Deti Territorial, që janë ujërat e brendshme të një shteti dhe që shkojnë maksimumi deri në 12 milje nga vija e drejtë bazë ose vija natyrale e ujit.
  • Neni 76. Shelfi Kontinental (tabani i fundit i detit deri në thellësitë e shfrytëzimit teknik) që shtrihet deri në 200 milje dhe kufiri i llogaritjes së tij merret milja e 12-të e kufirit të detit territorial.
  • Neni 55. Zona Ekskluzive Ekonomike (ZEE), që vendoset mbi Shelfin Kontinental, e cila shtrihet deri në 200 milje dhe kufiri i llogaritjes së saj merret milja e 12-të e kufirit të detit territorial. ZEE-ja shtrihet nga tabani i detit deri në sipërfaqen e ujit.
    Për definimin e këtyre hapësirave duhet që secili shtet bregdetar të nënshkruajë marrëveshje të veçantë ose një marrëveshje që i përfshin të tria hapësirat detare e mësipërme. Greqia dhe Italia kishin nënshkruar marrëveshje të veçantë vetëm për delimitimin e Shelfit Kontinental në 1977 dhe pas gati 43 vitesh përmbyllën marrëveshjen edhe për delimitimin e ZEE. Natyrisht si dy vende që kanë një distancë mbi 24 milje nga njëra tjetra, ndryshe nga ne me Greqinë, Italia dhe Greqia nuk ndajnë Detit Territorial, ndaj dhe nga të tre komponentët kanë ndarë vetëm dy. Për
    kryerjen e një delimitimi të hapësirave detare ka rëndësi që shtetet të definojnë vijën e drejtë bazë e cila mund të jetë normale/natyrale ose e kombinuar, konform përcaktimeve të konventës, çka më pas ndihmon në ndërtimin e vijës delimituese, së cilës i bëhen modifikime, duke marrë në konsideratë dhe elemente të veçanta, siç janë gjeografia e terrenit ose titujt historik.

Cilat janë përfitimet që kjo marrëveshje sjell për Greqinë dhe Italinë?

Ndarja e zonave detare përbën interes strategjik për çdo vend, pasi definimi i këtyre zonave për dy shtete që kanë ratifikuar Konventën e Montego Bay u mundëson atyre ushtrimin e sovranitetit të plotë dhe të drejta sovrane në një zonë të përcaktuar qartë me koordinata dhe shfrytëzimin e plotë të resurseve natyrore. Në kushtet e mosdelimitimit të Zonës Ekonomike Ekskluzive në bazë të së drejtës ndërkombëtare, palët e kanë të pamundur që të eksplorojnë në mënyrë unilaterale pranë zonave kufitare. Greqia dhe Italia janë dy shtet që kanë flota peshkimi tepër të mëdha dhe “agresive” në gjuetinë e peshkimit ndaj përcaktimi i ZEE është një mision kompleks për dy vende me kapacitete të tilla detare. Ndarja e ZEE në këtë rast përveç përmbylljes së bazës ligjore dypalëshe sjell dhe një ndarje të qartë të zonave të shfrytëzimit, përgjegjësisë, zgjerimin e të drejtave sovrane por gjithashtu sjell edhe uljen e riskut të incidenteve detare.

Aktualisht Shqipëria nga ana e saj është ende në diskutime për delimitimin e zonave detare me Greqinë. Cilat do të ishin efektet e kësaj marrëveshje që përmendëm? Po përsa i përket delimitimit mes Shqipërisë dhe Italisë?

Vija delimituese e Shelfit Kontinental në marrëveshjen e nënshkruar në 27 maj 1977 midis Greqisë dhe Italisë përmban 16 pika dhe ka një gjatësi prej 268 miljesh (496,4 km). Nisur nga fakti që kemi të bëjmë me një ndarje ku janë përballë toka kontinentale italiane me një ishull grek, në bazë të parimit të ndarjes së drejtë vija delimituese është spostuar në drejtim të ishullit grek Othoni. Dhënia e një efekti jo të plotë për ishullin e Othonoit ka shkaktuar një modifikim të vijës me distanca të barabarta drejt një zgjidhjeje të drejtë në 55,9 milje (103,53 km), nga 268 milje detare vijë delimituese. Kjo i ka dhënë Italisë një përfitim prej 28,39 miljesh (97,37 km2).
Praktikisht kjo ka sjell vendosjen e një precedenti nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare për delimitimin e Shelfit Kontinental të Othonoit, ç’ka për fat të keq ky precedent në uljen e peshës së Othonoit nuk u mor në konsideratë në negociatën mes nesh dhe Greqisë në vitin 2009. Nisur nga fakti që metodologjia e delimitimit të Shelfit Kontinental mes Greqisë dhe Italisë të 1977 për Othonin është ajo e vijës së mesme të korrektuar, gjasat janë që edhe në marrëveshjen e 9 qershorit 2020 të jetë përdorur e njëjta metodologji, por mbetet për tu parë! Vija e mesme e korrektuar është metodologjia e cila i shkon përshtat edhe interesit tonë kombëtar për delimitimin mes nesh dhe Greqisë. Marrëveshja e arritur mes Greqisë dhe Italisë prodhon dhe një efekt tjetër pozitiv, pasi ajo hap mundësinë që edhe ne të përfundojmë ndarjen e ZEE me Italinë, sepse në marrëveshjen e vitit 1992 me Italinë ne kemi delimituar vetëm Shelfin Kontinental.

Veç Italisë Greqia vijon ende proceset e bisedimeve për delimitimet me fqinjët e tjerë. Cilët do të ishin efektet strategjike për Greqinë me këtë marrëveshje?

Republika Greke, më 1 qershor 1994, ratifikoi Konventën e Montego Bay, ku përcaktoi se ajo zbaton vijën normale (natyrale që është buza e ujti të çdo bregu) dhe i njohu vetes të drejtën e zgjerimit të detit territorial nga 6 në 12 milje, por zgjerimi në 12 milje do të kryhet në një moment të përshtatshëm. Pamundësia e zgjerimit të detit territorial në Egje përballë Turqisë e ka detyruar Greqinë që të zbatojë përkohësisht gjerësinë e 6 miljeve të ujërave territoriale bazuar në Konventën e Montego Bay. Për nga pikëpamja strategjike, arritja e një marrëveshjeje është fitore e madhe, pasi çdo marrëveshje që ndërton një vijë delimituese për dy shtete që janë palë të konventës, duhet të marrë në konsideratë parimin e 12 miljeve, siç parashikohet në nenin 3 të konventës, pavarësisht se sa e kanë me ligj të brendshëm dhe të depozituar në OKB shtetet palë gjerësinë e ujërave të tyre territoriale.
Procesi i delimitimit të detit territorial quhet i kryer kur:

  • Sipas UNCLOS 1982, Neni 83 (1), kufiri i shelfit kontinental ndërmjet shteteve me bregdet ballë për ballë ose fqinje realizohet me marrëveshjen ndërkombëtare/traktat mbi bazat e ligjit ndërkombëtar, siç referohet në nenin
    38 të Statusit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të barabartë.
  • Ose ka një vendim nga një gjykatë, ose hartë të dakordësuar mes palëve.
  • Traktati/marrëveshja/vendimi duhet të jetë e shprehur me koordinata detare në hartë.
    Sa i takon reflektimit të kësaj marrëveshje mbi Egjeun, i cili në vetvete është i lidhur me një kompleksitet çështjesh, si: delimitimi i Detit Territorial (përcaktimi me koordinata i kufijve detarë), delimitimi i Shelfit Kontinental, Zonës Ekonomike Ekskluzive, hapësira ajrore, FIR, SAR, menaxhimi i trafikut ajror civil dhe ushtarak si dhe militarizimi i ishujve, pritet të jetë më shumë një mesazh politiko-diplomatik. Kjo marrëveshje përveç plotësimit të kuadrit ligjor dypalësh, mbart dhe një simbolikë të veçantë për Greqinë si një shtet me dalje të mëdha në të paktën 3 dete. Ajo vjen në vazhdën e objektivave strategjikë të politikës së jashtme greke në rajon sa i takon delimitimit të hapësirave detare me fqinjët e afërt si dhe në mënyrë figurative Greqia heq nga lista e çështjeve të hapura me fqinjët një dosje për të cilën negocion prej dekadash, ç’ka i jep asaj mundësinë që të përqendrohet në frontet e tjera. Nga pikëpamja e interesit kombëtar dhe në lojën e madhe të Egjeut-Mesdheut Lindor, Greqia lëshon një mesazh të qartë të angazhimit të saj për të zgjidhur çështjet e delimitimit të hapësirave detare jo vetëm përball Turqisë por edhe vendeve të tjera me të cilat është e angazhuar në negociata për delimitim.

Si njohës i politikës së jashtme të Greqisë dhe si anëtar i ekipit shqiptar në negociatat dypalëshe, sipas mendimit tuaj si është gjendja e Shqipërisë ne proceset delimituese?

Shqipëria dhe Greqia janë shtete bregdetar kufitare dhe ndajnë mes tyre Det Territorial, natyrisht Shelf Kontinental dhe Zonë Ekonomike Ekskluzive. Kufiri i Detit Territorial në kanalin e Korfuzit kalon afërsisht në rrugëkalimin ndërkombëtar, gjë që ka shërbyer si një tregues i kufirit, por jo një kufi i përcaktuar sipas kritereve të konventës së Montego Bay e cila na detyron që të kryejmë një proces delimitimi sipas kritereve që përcakton kjo konventë ku si ne dhe Greqia jemi palë e saj. Ndonëse ka pasur gjithnjë një debat të gjatë mbi pasjen e kufijve detar mes nesh, nëse do të shohim me kujdes aktet e brendshme të të dy shteteve, atyre dypalëshe dhe atyre ndërkombëtare, do të evidentojmë se të dy vendet ndajnë një brez kufitar detar, i cili gjen zbatim në praktikë që prej vitit 1925, mbështetur kryesisht në të drejtën zakonore, por pa koordinata, siç e parashikon konventa e UNCLOS. Gjithashtu nuk duhet harruar fakti që kriteret e ndarjes së Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të viti 2010 nuk shprehet kundër kryerjes së një negociate dypalëshe për delimitimin e hapësirave detare, por ai vendim i cili përbënë dhe busullën për ekipin tonë negociues liston parimet, metodologjinë dhe elementët e parashikuar në konventë të cilët nuk u morën parasysh për arritjen e një ndarje të drejtë mes palëve. Nuk duhet harruar fakti që kriteret e ushtrimit të sovranitetit dhe gjerësia e ujërave territoriale nga rreth 3 milje në vitin 1925 ka shkuar në 12 milje me konventën e UNCLOS 1982, por Protokolli i Firences i vitit 1925 ka rëndësi për procesin e delimitimit për faktin se piramida 79 e kufirit tokësor, ku toka takon buzën e detit, përbën pikën e parë nga ku duhet të fillojë vija delimituese.
Të dy shtetet gjatë operimit të Forcave të tyre Detare, normalisht kanë respektuar mosoperimin në rrugëkalimin ndërkombëtar ose përtej tij, gjë që ka bërë që të mos ketë pasur kundërshti lidhur me kalimin e kufirit. Gjatë aktivitetit të Forcave Detare Shqiptare, komandantët e anijeve janë kujdesur të qëndrojnë në lindje të rrugëkalimit ndërkombëtar, logjikë e cila bënte që anijet të operonin në ujërat shqiptare. Rrugëkalimi ndërkombëtar në kanalin e Korfuzit nuk është i rregulluar nga të dy shtetet me kalime të seperuara, por në praktikën zakonore anijet që hyjnë nga veriu i kanalit lundrojnë në krahun perëndimor të tij (më afër ishullit të Korfuzit) dhe anijet që dalin në drejtim të veriu lundrojnë në krahun lindor (më pranë Shqipërisë). Gjithashtu Shqipëria ka të njëjtën çështje të papërcaktuar edhe me Malin e Zi, pasi edhe me kufijtë verior të përcaktuar sipas Aktit final të caktimit të kufijve të Shqipërisë i 26 korrikut 1926, i cili përcaktoi/demarkoi kufijtë tokësorë veriorë dhe verilindorë të Shqipërisë, i nënshkruar nga Franca, Italia, Japonia, Britania e Madhe, Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, Shqipëria dhe nga Greqia si palë e interesuar, kemi të njëjtin fenomen të ndarjes së kufirit detar me Malin e Zi i cili duhet të kryhet sipas kritereve të Montego Bay 1982.
Por delimitimi i hapësirave detare me Greqinë është përfshirë dhe në paketën e çështjeve të hapura mes dy vendeve të diskutuara në kuadrin e mekanizmit dypalësh dhe me palën greke nisi procesi për të negociuar një marrëveshje të re për të delimituar hapësirat detare sipas një ndarjeje të drejtë për palët. Përfundimi i procesit të delimitimit të hapësirave detare duhet të jetë një çështje e rëndësisë strategjike për Shqipërinë jo vetëm prej faktit që ndajmë qartë zonat me fqinjët, ushtrojmë sovranitet të plotë dhe të drejta sovrane por është edhe në themel të politikës së fqinjësisë së mirë në kuadër të procesit të integrimit në BE, ndaj duhet të kapim ritmin duke gjeneruar konsensus kombëtar për çështje të tilla me interes strategjik./ tirananews.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here