Rovena Agolli, bashkëshortja e ish-ministrit Damian Gjiknuri, tregon eksperiencën e saj gjatë takimit të gurusë së saj, Paramahamsa Vishëandanda.

Zonja Agolli ishte e ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ku rrëfeu se përmes Bahtimargës, një prej praktikave të jogës që praktikon guruja indian, Paramahamsa Vishëandanda, ka gjetur dashurinë që flinte brenda shpirtit të saj.

Rovena, ju jeni një prej ndjekëseve të gurusë Paramahamsa Vishëandanda. Pastor Pano thotë se është mallkim të besosh te njeriu. Për ju, a është mallkim të besosh një person të vdekshëm?

Nuk më takon mua të komentoj ideologjitë, që vijnë nga filozofi të tjera fetare.

Cila është filozofia që ju ndiqni?

Unë jam shumë e re në këtë takim me hyjnoren, dua të them se unë nuk vij nga ndonjë background fetar apo se jemi rritur ne Shqipëri me filozofi fetare. Thellë-thellë, shpirti im është lutur dhe kam besuar gjithmonë te një forcë supreme, krijuese sepse e kam ditur se ne nuk vetëkrijohemi. Nisur nga kjo, kam pasur gjithmonë shpresën se unë diku, dikur, në mos ketë jetë në një jetë tjetër, ashtu sikundër shumë hinduistë, sikurse do të vetëpërcaktohen disi në atë krah, besojmë në rimishërimet. D.m.th në shpirtin e pazhbëshëm, si pjesë e pandashme e Zotit. Pjesëza të Zotit jemi të gjithë ne. Unë kam besuar dhe besoj në pafundësinë tonë. Në lidhje me gurunë, nuk është se unë po kërkoja një guru.

Guruja shfaqet kur dishepulli është gati, çfarë do të thotë?

Këtë e ka thënë Buda dhe më ka pëlqyer sepse më është dukur si abstrakte të them të drejtën, sepse janë gjëra që me aq sa dimë, nuk i kuptojmë dot dhe nuk u japim dot një shpjegim. Duke qenë se të gjithë historitë dhe librat që kam lexuar vinin ngjarje që kanë ndodhur në Indi dhe mendoja se kjo është një gjë që mund t’u ndodhë indianëve, ose duhet të lindësh atje që të kesh një eksperiencë të tillë.

Emocionalisht, çfarë raporti krijohet me gurunë?

Eksperiencat janë të jashtëzakonshme dhe unë i kam parë të ndodhin që ditën e parë që jam takuar me të. Nuk e dija që po kërkoja një guru, unë po kërkoja të ikja në Indi, sepse më tërhiqte shumë dija që vinte prej andej dhe doja të zbuloja dhe të eksperiencoja vetë praktikat spirituale, siç janë meditimi, kur prej vitesh praktikoja një metodë tjetër meditimi, ndryshe nga ajo që bëj tani. Ndërkohë që mendoja të ikja në Indi, unë mesa duket isha gati. Një mësues vjen nga Gjermania, i cili është nxënës i Paramahamsa Vishëandandës dhe mban në Tiranë një leksion të Takmakrija Joga, e cila është një nga teknikat më të vjetra të meditimit. Kur ai nisi të më tregojë historinë e tij, se si e kishte takuar masterin e tij, adhurimi që unë pashë në sytë e tij për gurunë e tij, ishte si ai që unë kisha lexuar nëpër libra.

Pra, kemi adhurim për njeriun dhe jo për shenjtin. Ka perceptime të ndryshme…

Perceptimi në fakt, duhet të vijë në bazë të një eksperience. Në rast se ti nuk ke eksperiencuar një gjë, nuk mundesh ta shpjegosh.

Kur e takuat vetë, çfarë ndodhi?

Në shkuam në Gjermani që ta takojmë mjeshtrin e madh në një nga darshanet, si ai që u mbajt në Tiranë. Kur e takuam, ne ishim të gjithë në lot dhe pamë aty vetë dashurinë. Unë e ndjeva atë, është një ndjesi që sado të mundohem ta artikuloj, është e pamundur, e palogjikshme se si ti të shikosh një njeri, apo që duket si njeri, dhe të mbytesh në lot.

Gjatë mbërritjes në Rinas ju i përuleni në gjunjë, përse?! Është adhurim për të apo është ritual?

Përkulja edhe mua më ka bërë përshtypje ditën e parë në Ashramin ku ai jeton dhe që është qendër spirituale e ku vijnë qindra e mijëra njerëz nga e gjithë bota, edhe unë nuk u përkula, as ditën e parë dhe as ditën e dytë. Atëherë më dukej përulëse, ajo që i duket të gjithë njerëzve kur shohin këto pamje. Përkulja nuk vjen dot nga mendja, ajo vjen nga brenda, nga shpirti. Përkulja vjen nga brenda dhe nuk të gënjen. Nëse ajo tregon në mënyrë simbolike një lloj dorëzimi, është vlerësim për një qenie superiore. Kjo gjë nuk dëmton askënd. Mua më çudit fakti që diskutohet aq shumë, por njerëzit këtu edhe kur luten përkulen në të gjitha fetë. Nëse e ndien atë që i përkulesh si shenjtor, këtu nuk ka asgjë të keqe. Është shumë personale.

Por kur faleni apo luteni i faleni Zotit, ndërsa ju i faleni një njeriu..

Në hinduizëm, guruja është Zoti, sepse është i dërguari i Zotit. Unë tani kam kuptuar të gjitha gjërat që nuk kuptoja më parë në lidhje me fenë dhe me Zotin. Njerëzit historikisht kanë limituar Zotin në një formë të paformë dhe harrojnë se ne të gjithë jemi, gjithçka ekziston, vjen prej tij. Dhe një inteligjencë superiore, nga e cila është krijuar gjithçka, pse qenka e limituar të paraqitet…

Çfarë e bën këtë njeri qenie superiore në përballje me njerëz të zakonshëm si ju e unë?

Ai ka lindur i tillë. Nuk ka lindur pa baba si Krishti, por ka shumë gjëra që e bëjnë superior, këtë e tregon e gjithë historia e tij.

A po shtohen ndjekësit e Paramahamsa Vishëandandës në Shqipëri?

Gjithnjë e më shumë. Ne kemi krijuar një qendër në Tiranë, bijë e lëvizjes Bahtimarga, që guruja zhvillon prej 15 vitesh në botë dhe praktikon disa teknika të jogës. Ne jemi aty për të ndarë këtë dashuri dhe këtë filozofi me njerëzit, vijnë të rinj, shumë vijnë me ne në Gjermani.

Çfarë ka ndodhur me ju pas kësaj eksperience?

Unë po zbuloj veten, sepse ne nuk e njohim veten tonë, nuk njohim atë pjesë hyjnore tonën që bëhet e mundur vetëm përmes dashurisë, vetëm nëse dashuria zgjohet, sepse ajo është e fjetur brenda nesh. Ne mendojmë se duam, por në fakt ne nuk duam.

Guruja që ju ndiqni thotë se mund të ndryshojmë të ardhmen me forcën e mendjes?

Unë jam dakord se mendimi strukturon edhe fizikisht trurin. Natyrisht që forca e mendimit krijon. Ne jemi një miniaturë e Zotit dhe mbartim cilësi të tij sepse ai na ka krijuar.

GURUJA VISHËANDANDA: PREDIKOJ UDHËN E PËRKUSHTIMIT NGA MENDJA TE ZEMRA

I intervistuar nga Blendi Fevziu, guruja Paramahamsa Vishëandanda tregon se në filozofinë e predikimit të tij, është përkushtimi nga mendja te zemra. “Çështja nuk është nëse njerëzit duhet të besojnë tek unë ose jo. Është diçka personale. Në Indi ne besojmë se guruja shfaqet kur dishepulli është gati. Para këtij çasti ai nuk shfaqet. Edhe Jezusi u shfaq kur ishte koha e duhur. Të jesh gati do të thotë…ka mjaft njerëz që lexojnë libra spiritualë, por nuk janë gati të pranojnë. Kur dikush është gati, kuptohet nga gatishmëria brenda tyre. Bahtimarga, Bahti do të thotë përkushtim, Marga do të thotë udhë. Pra, Bahtimarga është udha e përkushtimit, nga mendja te zemra. Ne flasim për zemra të hapura, që do të thotë mendje të hapura, një mendje që nuk paragjykon dhe as kritikon. Çdo njeri mund të ndryshojë të ardhmen e tij nëpërmjet mendjes. Çdo veprim është funksion i mendjes”, u shpreh Paramahamsa Vishëandanda.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here