Një grua, e cila është detyruar të punojë në përpunimin e kanabisit disa vite më parë, ka treguar se paguhej 1500 lekë për përpunimin e 1 kg kanabis.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, gruaja tha se ishte një punë shumë e vështirë për gratë, pasi duhet të flinin në sera dhe të qëndronin pa komunikuar me familjen.
“Gjendja ekonomike, gjendja financiare. Lamë shtëpinë, fëmijët, na detyronte halli. Brenda ishim të ngujuara, me familjarët flisnim në telefon në darkë, jo gjatë orarit të punës. Bëhet fjalë për vitin 2016, në fakt në zonën tonë nuk ishte mbjellë kurrë dhe nuk njihej se çfarë ishte. Na e mësuan si përpunohet, si qethet, si rregullohet, çfarë forme duhet të vinte boçja. E fusnim në qese që e peshonim. Pastaj ata e hidhnin vetë në thasë dhe nuk e di se ku e dërgonin. U detyruam të shkonim të punonim për lekë. Pa punë unë, burri, djali, u detyruam. Skamje, gjendje ekonomike. Paguheshim 1500 lekë për 1 kg kanabis, kur bënim 2 kg 3000 lekë. Nuk bëheshin kollaj 2 kg, ishte e vështirë. Punuam 2 muaj, shtator deri në fund të nëntorit. Në jug. Me orar të zgjatur punonim, me kushte të vështira, ftohtë ishte. Në kasolle punonim. Që punonim bashkë ishim 10, por ishin pafund”, theksoi ajo ndër të tjera.
Ajo shtoi se kur kishte indicie për kontrolle, ato e fshihnin lëndën narkotike në pyll, madje atje fshiheshin dhe vetë për t’i shpëtuar uniformave blu.
“Ata flisnin me kode, s’është s’e merrnim vesh shumë. Ne e kuptonim, na thoshin kur do vinte policia dhe e hiqnim mallin e çonim në pyll.”