Policia greke ka zbuluar dhe ka shkatërruar një grup kriminal, ku të përfshirë janë shqiptarët. Katër prej tyre kanë rënë në pranga, pasi akuzohen se kanë kryer 45 vjedhje në periudhën tetor-nëntor të 2021-it si edhe gjatë muajit korrik të 2022-it.
Mediat greke shkruajnë se pas muajsh hetimesh dhe kërkimesh efektivët arritën të identifikojnë dhe godasin bandën e hajdutëve shqiptarë të cilët kanë kryer 45 vjedhje në Janinë, kryesisht në banesa dhe magazina. Vlera e sendeve të plaçkitura arrin në 30 mijë euro, sipas autoriteteve greke.
Po ashtu gjatë hetimeve të kryera, efektivët e policisë gjetën 1560 euro, 8.000 lekë, një pushkë gjuetie dhe dy biçikleta, të cilat janë përdorur nga autorët për vjedhje.