Tre të afërmit e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj u bënë protagonistë të një incidenti me efektivët e Forcës Operacionale dhe agjentë të BKH-së. Ata akuzohen për “goditje për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim nga Prokuroria e Fierit.
Prokuroria përmes një komunikate për mediat sqaron se ka regjistruar procedim penal për Ledjan Kapllanaj, Klaudjo Kapllanaj dhe Gerald Kollçakun. Sqaron në detaje përplasjen që të afërmit e Kapllanaj patën me forcat e rendit dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare.
I gjithë episodi ka nisur në një kohë kur një agjent i BKH-së, i shoqëruar nga efektivët ka qenë duke zhvilluar një operacionin me urdhër të SPAK në fshatin Portëz e Madhe.
“Gjatë kohës që ishin duke qëndruar në mjetin e tyre në një vend tjetër, në anë të rrugës publike pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, të qytetit të Fierit, u janë afruar tre automjete nga kanë zbritur disa persona, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit të këtyre të fundit”, sqaron Prokuroria.
Njoftimi i plotë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar procedimin penal nr.509, datë 16.04.2025, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 237/3 e 25 të Kodit Penal, mbi bazën e njoftimit nga shërbimet e policisë gjyqësore për një ngjarje të ndodhur në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, Fier.
Menjëherë pas njoftimit, policia gjyqësore nën drejtimin e Prokurorisë Fier, ka kryer veprimet e para hetimore nga të cilat është dokumentuar se, një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, kanë qenë duke kryer veprime hetimore në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në aksin rrugor Fier-Patos, në afërsi të fshatit Portëz e Madhe, Fier.
Gjatë kohës që ishin duke kryer veprime, ata janë filmuar nga shtetasi O.I., ç’ka i ka detyruar të largohen nga vendi ku ishin pozicionuar. Rreth 30 minuta më pas, gjatë kohës që ishin duke qëndruar në mjetin e tyre në një vend tjetër, në anë të rrugës publike pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, të qytetit të Fierit, u janë afruar tre automjete nga kanë zbritur disa persona, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit të këtyre të fundit.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, Prokuroria ka paraqitur në gjykatë kërkesën për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetasve K.K., L.K. dhe G.K.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale të cilat cenojnë jetën e shëndetin e punonjësve të policisë së shtetit dhe të personave që kryejnë detyrë shtetërore apo shërbim publik.