Rudina Hajdari, kryetarja aktuale e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ka reaguar me një status në Facebook ku ka sqaruar akuzat për mosrespektim të rregullores.
“Sikurse unë ashtu edhe deputeti Myslim Murrizi nuk jemi larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Partia Demokratike me vendimin për “dorëzimin në bllok të mandateve” vendosi njëkohësisht të ndërprejë përfaqësimin në Kuvend dhe të shkrijë Grupin Parlamentar të PD.
Neni 15, pika e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë përcakton se:
“2. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh.
Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që
largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar
vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit”.
Ndaj nuk jemi në kushtet e largimit nga Grupi Parlamentar i PD(dhe nuk është i vlefshëm kushti i afatit 6 mujor) por në rrethanat e gjendjes së faktit ku deputetët e Kuvendit në bazë përkatësisë partiake apo të orientimit politik në përputhje me Rregulloren vendosin për krijimin e Grupit Parlamentar”, shkruan Rudina.
Ajo thotë se grupi i saj parlamentar është krijuar mbi bazën e orientimit politik të djathtë me qëllim:
- Zgjidhjen e krizës politike përmes Reformimit të sistemit zgjedhor (politik).
- Përfaqësimin e vërtetë dhe me integritet të Demokratëve dhe oponencës qytetare në Kuvend.
- Misionin për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
