Një 30-vjeçar i kërkuar për skemën e mashtrimit me “Call Center”-a me dëm prej 15 milionë eurosh është arrestuar nga policia ditën e djeshme.
Jusel Mici u lokalizua në zonën e Spillesë, ndërsa ishte shpallur në kërkim nga SPAK që prej fazës së parë të operacionit në dhjetor 2022 kur u kontrolluan disa ambiente dhe ranë në pranga disa bashkëpunëtorë të tij në Tiranë. 30- vjeçari Mici sipas policisë, akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, mashtronin shtetas të huaj duke i garantuar atyre, përfitim të menjëhershëm ekonomik kundrejt investimeve, dhe duke i bindur ata të investojnë në kriptovaluta. Pas hetimeve të kryera për këtë skemë mashtrimi, prokuroria ka kërkuar në gjykatë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, e kryer në bashkëpunim dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Kjo masë është miratuar nga gjykata ndërkohë që në dosjen e SPAK, të hetuar bashkë me autoritetet italiane, përshkruhet edhe mënyra si vepronte grupi kriminal.
Pasi kontaktonin shtetasit e huaj të cilëve u prezantonin mundësinë e investimit të fondeve të vogla kundrejt përfitimit, të akuzuarit hynin në faqet personale të viktimave në banka, duke marrë kështu njohuri për të dhënat dhe gjendjen ekonomike dhe duke arritur, në shumë raste, për t’i bindur ata të investojnë të gjithë kapitalin ekonomik që kishin në dispozicion. Në fazën e fundit, pasi të mashtruarit zbulonin të vërtetën dhe kërkonin mbrapsht paratë e tyre, ata kontaktoheshin nga anëtarë të tjerë të mbledhjes së borxheve, të cilët i bindnin të paguanin para shtesë për të rikuperuar shumat e humbura ose e shtynin të merrte aksione në kompani të reja, të krijuar nga vetë të dyshuarit, çka rezultonte sërish një skemë e re mashtrimi.
MASHTRIMI I QYTETARËVE TË HUAJ
Në fillim të huajve u garantohet një përfitim i menjëhershëm ekonomik kundrejt një investimi të vogël të viktimave, i cili shërbente për t’i bindur ata të investonin. Më pas, viktima, duke u konsultuar me një platformë mashtruese në internet, krejtësisht fiktive, bindej nëpërmjet një ndërmjetësuesi të rremë, që të investonte gjithnjë e më shumë para. Krijohej një “marrëdhënie besimi” midis investitorëve dhe këshilltarëve financiarë të rremë, i cili lejonte këta të fundit (përmes një programi kontrolli të veçantë në distancë) të hynin në faqet personale bankare të viktimave, duke marrë kështu njohuri për të dhënat dhe gjendjen ekonomike të këtyre të fundit dhe duke arritur, në shumë raste, për t’i bindur ata të investojnë të gjithë kapitalin ekonomik që kishin në dispozicion.
Viktimat që zbulonin mashtrimin duke kërkuar marrjen e investimit, kontaktoheshin nga anëtarë të tjerë të vetëquajtur të kompanive të mbledhjes së borxheve, të cilët i bindnin të paguanin para shtesë për të rikuperuar shumat e humbura ose e shtynin të merrte aksione në kompani të reja, të krijuar nga vetë të dyshuarit.
