Gazetarja dhe aktivistja Yekaterina Maksimova i shmanget metrosë së Moskës edhe pse është ndoshta rruga më efikase për të udhëtuar.
Ajo e bën këtë për shkak se është arrestuar pesë herë gjatë vitit të kaluar, për shkak të kamerave të sigurisë që punojnë me sistemin për njohjen e fytyrës. Ajo tregon se policia i ka thënë se kamerat “reagojnë” ndaj saj megjithëse shpesh dukej se nuk e kuptonin pse, dhe e linin të lirë pas disa orësh.
“Duket se emri im është në një lloj baze të dhënash”, thotë aktivistja Maksimova, e cila është arrestuar edhe dy herë të tjera më parë: njëherë në vitin 2019 pasi mori pjesë në një demonstratë në Moskë dhe më pas në vitin 2020 për aktivizmin e saj për mbrojtjen e ambientit.
Për shumë rusë si ajo është bërë gjithnjë e më e vështirë t’i shmangen kontrollit të autoriteteve, pasi qeveria ruse monitoron në mënyrë aktive llogaritë e rrjeteve sociale dhe përdor kamera vëzhgimi kundër aktivistëve.
Autoritetet po shfrytëzojnë si mjet kontrolli edhe një platformë në internet, që më parë është lavdëruar nga përdoruesit pasi mundëson përmbushjen me lehtësi të disa detyrimeve burokratike. Autoritetet planifikojnë ta përdorin atë për t’i dërguar thirrjet për mobilizim ushtarak tek njerëzit që u janë shmangur thirrjeve për rekrutim kur autoritetet janë munduar t’ua dorëzojnë ato fizikisht.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut thonë se Rusia, nën Presidentin Vladimir Putin, ka shfrytëzuar teknologjinë dixhitale për të gjurmuar, censuruar dhe kontrolluar popullatën, duke ndërtuar atë që disa e quajnë një “gulag kibernetik” një referencë e errët për kampet e punës që mbanin të burgosur politikë në kohën e Bashkimit Sovjetik.
Është një situatë e re megjithëse bëhet fjalë për një komb me një histori të gjatë spiunazhi ndaj qytetarëve të tij.
“Kremlini është bërë me të vërtetë përfitues i epokës së dixhitalizimit dhe po përdor të gjitha mundësitë për propagandën shtetërore, për vëzhgimin e njerëzve dhe për zbulimin e identitetit të përdoruesve të internetit”, tha Sarkis Darbinyan, kreu i praktikës ligjore në Roskomsvoboda, një grup rus për lirinë e internetit që Kremlini e konsideron si “agjent të huaj”.
PËRDORUESIT E RRJETEVE SOCIALE ‘NUK DUHET TË NDIHEN TË SIGURT’
Ligjet më të ashpra kundër ekstremizmit të miratuara më 2014 kishin në objektiv përdoruesit e rrjeteve sociale dhe publikimet në internet, duke çuar në qindra raste penale për publikime, pëlqime dhe shpërndarje. Shumica e përdoruesve të përfshirë ishin të platformës së njohur të rrjetit social rus ‘VKontakte’, për të cilin thuhet se bashkëpunon me autoritetet.
Ndërsa masat u zgjeruan, autoritetet synuan gjithashtu rrjetet e tjera sociale “Facebook”, “Twitter”, “Instagram” dhe “Telegram”. Rreth një javë pas nisjes së sulmit në Ukrainë, “Facebook”, “Instagram” dhe “Twitter” u bllokuan në Rusi, dhe përdoruesit e platformave u ndoqën penalisht.
Marina Novikova, 65 vjeçare, u dënua gjatë këtij muaji në qytetin siberian Seversk për “përhapje të informacionit të rremë” për ushtrinë pas publikimeve në Telegram kundër luftës, duke e gjobitur atë me mbi 12,400 dollarë. Një gjykatë në Moskë javën e kaluar dënoi aktivistin e opozitës Mikhail Kriger me shtatë vjet burg për komentet në “Facebook” në të cilat ai shprehte dëshirën “për të varur” udhëheqësin rus, Putin. Blogerja e famshme Nika Belotserkovskaya, e cila jeton në Francë, u dënua me nëntë vjet burg në mungesë për publikimet në “Instagram” në lidhje me luftën, që autoritetet pretenduan se përhapnin lajme të rreme për ushtrinë.
“Përdoruesit e çdo platforme të rrjeteve sociale nuk duhet të ndihen të sigurt”, tha zonja Gainutdinov.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut shqetësohen se censura në internet do të zgjerohet në mënyrë drastike përmes sistemeve të inteligjencës artificiale për të monitoruar rrjetet sociale dhe faqet e internetit për përmbajtje që konsiderohen të paligjshme.
Në shkurt, rregullatori qeveritar i medias “Roskomnadzor” njoftoi vënien në funksionim të “Oculus-it” një sistem që punon me inteligjencë artificiale, i cili do të kërkojë për përmbajtje të ndaluar me ligj duke shqyrtuar fotografitë dhe videot në internet. Ky program mund të analizojë më shumë se 200,000 imazhe në ditë, krahasuar me rreth 200 në ditë që mund të kontrollohen nga njerëzit. Dy sisteme të tjera të inteligjencës artificiale që ende po projektohen do të kërkojnë për materiale në formë të shkruar që janë të ndaluara me ligj.
Në shkurt, gazeta Vedomosti citoi një zyrtar të Roskomnadzorit që shpreh keqardhjen për “sasinë dhe shpejtësinë e pahasur më parë të përhapjes të informacioneve të rreme” për luftën. Zyrtari, emri i të cilit nuk jepet nga gazeta, bën thirrje që protestat dhe “propaganda LGBT” të bëhet pjesë e përmbajtjes së ndaluar që do të identifikohet nga sistemet e reja.
Aktivistët thonë se është e vështirë të dihet se si po veprojnë sistemet e reja dhe se çfarë efektiviteti kanë. Sarkis Darbinyan, i grupit për lirinë e internetit, i përshkruan si “gjëra të tmerrshme”, që do të sjellin “më shumë çensurë”, ndërkohë që ka një mungesë të plotë transparence se si do të funksionojnë sistemet e reja dhe se si do të administrohen ato.
Autoritetet do të punojnë gjithashtu edhe për një sistem programesh të automatizuara (bots), të cilat do të mbledhin informacion nga faqet e mediave sociale, aplikacionet e mesazheve dhe komunitetet e tjera në internet, thotë grupi i hakerëve aktivistë bjellorusë Cyberpartisans, të cilët morën disa dokumenta nga një entitet në varësi të Roskomnadzorit.
Koordinatorja e tyre Yuliana Shametavets i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se programet e automatizuara pritet të infiltrojnë grupet e mediave sociale në gjuhën ruse për qëllime mbikëqyrjeje dhe propagande.
“Është e zakonshme të qeshet me rusët, të thuhet se kanë armë të vjetëruara dhe se nuk dinë të luftojnë, por Kremlini është shumë efikas në fushatat e dezinformimit dhe ka ekspertë të informatikës të kalibrit të lartë, të cilët nxjerrin produkte jashtëzakonisht të efektshme dhe tepër të rrezikshme”, tha ajo.
Agjencia rregullatore e qeverisë Roskomnadzor nuk iu përgjigj kërkesave për koment.