Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë konferencës për shtyp tha se aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit, ndërsa inflacioni ka ardhur në rënie.
“Projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive. Me gjithë ngadalësimin e përkohshëm, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në të ardhmen ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv në mesin e vitit 2024. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Inflacioni vijoi të shënojë rënie në tremujorin e tretë të vitit, duke regjistruar vlerat respektive prej 4.2% dhe 4% në muajt korrik e gusht. Reduktimi i inflacionit kishte një bazë relativisht të gjerë ndër artikujt e ndryshëm të shportës së konsumit. Megjithatë, ritmi i rënies erdhi në ngadalësim gjatë tremujorit të tretë, ndërkohë që inflacioni i çmimeve të shërbimeve, të qirave dhe të mallrave të konsumit afatgjatë, u shfaq përgjithësisht i qëndrueshëm, duke ilustruar si kërkesën e lartë ashtu dhe rritjen e kostove të prodhimit në vend”
