Sado që koha evolon, ne shqiptarët gjithmonë i qëndrojnë besnikë traditës, sidomos kur bëhet fjalë për ushqimin. Trendi i përgjithshëm në restorantet e Tiranës është“kuzhina moderne” dhe gatimet që janë larg tradicionales. Kjo ka bërë që në restorantet në kryeqytet të ndjehet pak mungesa e ushqimeve që ne shqiptarët i duam aq shumë. Modernes nuk mund t’i shmangemi shumë, por edhe tradicionalen nuk duam ta harrojmë. E mesmja e artë është ndërthurja e të dyjave bashkë.
Gzona është hapësira më e re në kryeqytet, e cila e ofron këtë mundësi. Një restorant i cili shkrin bashkë të shkuarën dhe të ardhmen për të sjellë të sotmen plot jetë e gaz. E ku më mirë sesa në Kalanë e Tiranës mund të ishte vendosur një hapësirë e tillë. Për ketë arsye vendosëm që të kalojmë një darkë në këtë restorant për të provuar ushqimin tradicional të sjellë në mënyrë moderne.
Kalaja e Tiranës, dëshmia më e lashtë e këtij qyteti e populluar me bare e restorante të ndryshme që porsa të hysh të lë të kuptosh shumë mirë se si e shkuara dhe e ardhmja janë ndërthurur bashkë. Kur viziton Gzonën e kupton pse quhet e tillë: sepse të gëzon me mjedisin elegant, qetësinë dhe kulturën që përcjell.
U takuam me shef Blerin për të na treguar më shumë rreth këtyre gatimeve që jemi kuriozë se si kombinohen. Me një shqipe paksa të përçalë, e kuptuam që ai prej vitesh kishte jetuar jashtë Shqipërisë dhe ishte rikthyer në vendlindje për të sjellë edhe atë çfarë kishte mësuar.
“Gzona nuk është një restorant si gjithë të tjerët, është diçka ndryshe dhe synimi ynë është të bëjmë evolucionin e traditës, që do të thotë se baza është tradicionalja, por në evolucion. Merret e gjithë tradita nga veriu deri në jug dhe riinterpretohet. Emërtimet janë klasike, ndërkohë që teknika që përdoret është bashkëkohore, inovative. Një shembull është byreku me qepë dhe domate, emri i të cilit ruhet dhe baza po ashtu, por teknika që përdoret për gatim dhe servirja është krejt ndryshe. Ne prodhojmë në kuzhinën e Gzonës që nga buka deri në gjithçka që i përket traditës sonë,” tregon shef Bleri.
Gzona është një hapësirë e veçantë, duke filluar që nga dizajni i brendshëm, arkitektura dhe kuzhina, të cilat aq sa janë moderne, po aq edhe ruajnë identitetin e traditën tonë.
“Gzonën e frekuentojnë të gjithë dhe mund të themi se klientët mbetën të surprizuar sepse kur porosit byrek me qepë dhe domate ajo të serviret në një gotë akullorje. Klienti thotë “Çfarë është kjo”, derisa provon shijen që mund të themi se është fantastike.”
Bakllava që pihet në gotë, pilaf me pulë që është një rizoto e ndërtuar me kamomil dhe disa kuba pule, paksa ndryshe nga çfarë mund ta presësh, dhe shumë pjata të tjera të veçanta mbi të cilat shefi i kësaj kuzhine tregon me aq pasion.
Pse është zgjedhur pikërisht ky lloj identiteti për këtë restorant?
“Stilin tonë është e vështirë për ta gjetur në treg. Unë vij nga një eksperiencë pune e gjatë në kuzhinën Evropiane dhe në fund vendosa të kthehesha dhe të provoja stilin e gatimit në tokën time. Nuk kishte kuptim të sillja kulturë tjetër në një vend i cili ka kulturën e tij të pasur dhe pse jo të ishte në evolucion. Unë isha në kërkim të një projekti që të përputhej me idetë e mia e me stilin tim. Ndërkohë kishte filluar të ngjizej një nismë e disa personave që po mendonin të krijonin një “laborator të mikëpritjes dhe ushqimit shqiptar”, të fillonin me një restorant. Kishin përzgjedhur edhe vendin te Kalaja e Tiranës. U takuam, pamë skishim ndërthurje të ideve dhe kështu arritëm te Gzona.”
Gzona vjen si një risi ne skenën gastronomike të Tiranës, që mund të bënte krenar një popull e të vendoste një shembull në këtë drejtim. Kjo pasi e ngrëna nuk është vetëm të konsumosh, por është mbi të gjitha kulturë, e cila do shijuar.
Tradita është shpirti i së shkuarës: që të ekzistojë, ajo s’duhet të ndryshojë kurrë.Evolucioni është forma e së ardhmes: nëse nuk evolojmë, nuk ekzistojmë.Te Gzona shkrihen e shkuara me të ardhmen, për të sjellë në jetë të sotmen plot jetë e gaz.
Te Gzona të gjithë gëzohen, shijohet dhe pëlqehet gjithçka.