Ka habitur Boban Bogdanoviç, Sekretar i Përgjithshëm për Strategjinë Euro-Atlantike dhe politikan i njohur serb. Ai ka reaguar për fjalimin e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministres së Serbisë Ana Brnabiç.
Ai ka thënë se fjalimi i kryeministres serbe reflekton një “fjalim të turpshëm dhe autokratik”. Nga ana tjetër politikani serb ka lavdëruar fjalimin e Osmanit si një fjalim demokratik, si një qytetare e vërtetë e Evropës. Reagimi i tij ka ardhur pas zhvillimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në OKB.
“Si serb dhe qytetar i Republikës së Serbisë, më vjen turp nga fjalimi i djathtë dhe autokratik i Ana Brnabiç në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Si qytetar i Evropës, jam krenar për fjalimin demokratik të Presidentes Vjosa Osmani”, ka shkruar Bogdanoviç në X (ish-Twitter).
