Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari kërkoi sot në Kuvend, që të rritet mbështetja financiare për mjekët e infermierët që janë sot në vijën e së parë të luftës me COVID-19.
Duke marrë fjalën në Kuvend, Hajdari tha se “sakrificat e tyre duhet të shpërblehen, pasi për të gjithë ne ata janë përkufizim i shpresës dhe i humanizmit njerëzor”.
Ndërsa shprehu solidaritetin me çdo familje shqiptare, Hajdari tha se “duam apo s’duam ne sytë i kthejmë nga udhëheqja për të na orientuar gjatë kësaj krize”.
“Ndërkohë që kemi më shumë se 1 muaj të izoluar, shohim pabarazinë e thellë ekonomike e sociale ku është zhytur vendi. Ne sot si qytetarë ndjehemi më vetëm se kurrë. Një familje në nevojë që deri më sot ka marrë remitanca nga familjarët jashtë ka ndier efektet e menjëhershme të pandemisë ndaj ndihen vetëm sot. Një familje që i ka në emigracion për punë sezonale sot nuk munden të mbajnë familjen e tyre dhe ndihen të braktisur dhe vetëm”, tha ajo.
Po ashtu, Hajdari tha se “një familje që ushqehet nga një dyqan i lagjes merr sot lëmoshë 26 mijë lekë ndërkohë që duhet të paguaj shumë fatura dhe nuk i mbetet asnjë gjë veçse të rrinë vetëm të braktisur nga qeveria”.
“Edhe për ata që punojnë në biznes të madh gjenden me këstin e kredisë të pashlyer apo detyrime të tjera pasi sot këto kredi nuk po shlyhen se bankat nuk duan ta dinë se çfarë thotë kryeministri”, tha Hajdari.
Ajo theksoi se “ndërkohë faturat e energjisë elektrike kanë ardhur më të kripura se sa kurrë”.
“Familjet në nevojë ndodhen të braktisura me faturat e dritave, ujit qirasë në pamundësi për t’i paguar. Kanë paguar çdo ditë taksat kokërr me kokërr dhe janë lënë vetëm në këtë periudhë të vështirë. Qeveria duhet të zeronte faturën e energjisë në këto muaj izolimi për familjet në nevojë. Qytetarëve duhet t’u ishin falur faturat e dritave dhe ujit të pijshëm. Qytetarëve shqiptarë duhet t’u ishte shpërndarë një çek në dorë për çdo shqiptarë mbi 18 vjeç. Asnjë gjë më pak se sa po i jepen qytetarëve në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Hajdari.
Ajo shprehu keqardhjen se ndihma e qeverisë “nuk kalon as pragun e varfërisë”.
