Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka hapur konsultimin publik për paketën e projektakteve nënligjore që do të mundësojnë zbatimin e Ligjit nr. 12/2026 “Për Lobimin në Republikën e Shqipërisë”.
Projektaktet janë h’artuar me mbështetjen e ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe përfshijnë rregullat për regjistrimin në Regjistrin e Lobimit, administrimin dhe publikimin e tij, raportimin e veprimtarisë së lobimit dhe verifikimin e të dhënave.
Paketa parashikon gjithashtu rregulla për administrimin e dokumentacionit, konfliktin e interesit, Kodin e Sjelljes për Lobistët, si dhe aktivitetet informuese dhe ndërgjegjësuese në fushën e lobimit.
Në kuadër të procesit të konsultimit publik, projektaktet janë publikuar në faqen zyrtare të Zyrës së Komisionerit, në seksionin “Njoftimi dhe Konsultimi Publik”.
Konsultimi do të jetë i hapur deri më 4 shtator 2026. Institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile, mediat, komuniteti i biznesit, ekspertët dhe çdo palë tjetër e interesuar mund të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre në adresën [email protected]
Kontributet e dërguara gjatë kësaj periudhe do të shqyrtohen nga institucioni dhe, sipas rastit, do të reflektohen në versionin përfundimtar të akteve nënligjore, përpara miratimit të tyre.
Zyra e Komisionerit ka vlerësuar mbështetjen e Këshillit të Evropës në hartimin e projektakteve dhe ka ftuar të gjitha palët e interesuara të kontribuojnë në procesin e konsultimit publik.
