Një lajm i mirë vjen nga Librazhdi pasi në mesditë u hap rruga që e lidh me Prrenjasin e për pasojë edhe me pjesën tjetër të verilindjes së Shqipërisë.
Pas 10 ditësh pune intensive, Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se aksi është hapur për të gjitha mjetet. Megjithatë kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, në një intervistë për Klan News, pati një thirrje për drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë.
“Gjej rastin t’i bëj thirrje mjeteve të tonazhit të rëndë që të respektojnë peshën e tyre në aks që është limiti 8.2 tonë për aks. Edhe po të ishte rrugë normale kjo është e ndaluar. Kjo është diçka që duhet ta verifikojë Policia e Shtetit, por gjej rastin për të bërë thirrjen pasi është një aks provizor dhe mos t’i shkaktojmë dëmtime që do vështirësonte kalimin në të”, tha Kozeli.
Raportoi për radhë të gjata të makinave pas hapjes së rrugës. Kemi të bëjmë me një nga rrugët më të rëndësishme të vendit pasi përveçse lidh një pjese të Shqipërisë, lidh vendin edhe me dy vende të rajonit si Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Qarkullimi do të kryhet përmes një devijimi provizor. Ngjitur me pozicionin ekzistues është ndërtuar ngjitur një rrugë devijuese derisa të realizohet rruga alternative në shtratin e lumit Shkumbin dhe të integruar me trupin e hekurudhës.
Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe përkohësisht do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar.
“Duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë përdoruesit e rrugës si dhe banorëve të zonës, u bëjmë thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, për të garantuar një qarkullim të sigurt për të gjithë”, njoftoi ARRSH.
Kujtojmë se aksi ka qëndruar i mbyllur prej 21 shkurtit si pasojë e shembjes së rrugës.
