Në fjalimin e mbajtur në takimin e Berlinit, ku marrin pjesë liderët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, Haradinaj kërkoi që qytetarëve të Kosovës t’u jepet e drejta e lëvizjes së lirë.
Fjalimi i Ramush Haradinajt
E nderuara Kancelarja Merkel,
President Makron,
Të nderuar Krerë të Delegacioneve Shtetërore,
Dëshiroj të ju shpreh mirënjohjen time për këtë iniciativë të rëndësishme. Duke ndërmarrë këtë hap, ju keni krijuar një mundësi historike për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet që na kanë ndarë ne për një kohë të gjatë.
Dëshiroj gjithashtu të falënderoj mbështetjen e qëndrueshme gjermane për të drejtën e Kosovës në shtetësisë dhe integritetit territorial si një kusht për paqe në rajon. Kërkojmë nga ju të vazhdoni të shpjegoni dhe ta mbroni këtë të drejtë në BE, sepse si shtet i vogël nuk kemi kapacitete për t’i arritur të gjithë. Shpresoj që takimi i sotëm mund të rezultojë në një sens të ri të përgjegjësisë individuale dhe të përbashkët për të ardhmen tonë kolektive.
Është e qartë se ne nuk mund të ecim përpara derisa të pranojmë të vërtetën mbi të kaluarën dhe realitetin e së tashmes.
E vërteta e së kaluarës është se Kosova pësoi mizori dhe ne duhej të fillonim nga zeroja.
Realiteti i së tashmes është se Kosova tani është një shtet i pavarur – si dhe është duke shënuar progres politik, ekonomik dhe social.
Ky është realiteti që duhet të pranojmë për të ecur përpara. Serbia duhet ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Unë dëshiroj të paraqes këtu para juve zotimin tim personal dhe të pakushtëzuar që unë do të kontribuoj për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë serbë. Unë e bëj këtë zotim pa pasur ndonjë ofertë nga Beogradi. Në fakt, është një zotim që ne e kemi aplikuar pasi kemi mishëruar të gjitha rekomandimet e planit të Ahtisaarit në kushtetutën dhe ligjet tona.
Njohja është pika fillestare për progres: nuk është pika përfundimtare. Pa njohje reciproke dhe respekt të ndërsjellë nuk mund të ketë progres. Njohja do të nënkuptojë tejkalimin e të gjitha pengesave tjera të progresit. Për shembull, nuk do të ketë nevojë për barriera tregtare, nga asnjëra palë.
Njohja nënkupton respektimin permanent të kufijve ekzistues. Kufijtë e rishikuar do të mundësonin fillimin e një valë të re të ndarjes etnike dhe ndoshta edhe fillimin e dhunës.
Ne kemi nevojë për unitet, jo për ndarje. Ne kemi nevojë për të hapur kufijtë tanë, dhe jo për të krijuar kufi të rinj.
Qeveria dhe parlamenti i Kosovës kanë mandatuar një platformë kombëtare si dhe delegacionin për fazën përfundimtare të procesit të dialogut me Serbinë, i cili do të rezultojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme për njohje reciproke.
Ne jemi të gatshëm, që sot, të finalizojmë të gjitha çështjet e pazgjidhura midis dy shteteve tona.
Kancelare, President, të nderuar Krerë të Delegacioneve Shtetërorë – ne ndajmë me ju jo vetëm një perspektivë evropiane, por edhe perspektivë globale. Ne nuk duam asgjë më shumë se të drejtat e njëjta siç i gëzojnë vendet tjera – dhe kjo duhet të përfshijë liberalizimin e vizave. Ne dëshirojmë të pranojmë përgjegjësinë tonë të plotë si anëtare e Aleancës Perëndimore, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne besojmë se është në interesin e të gjithëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë garantuese e zgjidhjes, së bashku me Bashkimin Evropian.
Dëshiroj të ju falënderoj për mundësinë që na keni ofruar të jemi këtu të gjithë së bashku. Ky është një moment i rëndësishëm për ne, dhe besoj se është i rëndësishëm edhe për të ardhmen e Evropës.