Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani ka mirëpritur ministren për Çështjet Evropiane të Suedisë, Jessica Rosencrantz.
Palët kanë theksuar bashkëpunimin dhe lidhjet e frytshme mes Shqipërisë dhe Suedisë, si dhe kanë nënvizuar angazhimin e përbashkët për të ruajtur dhe forcuar vlerat demokratike, paqen dhe sigurinë në Evropë.
Ministri Hasani ka gjetur rastin të shprehë mirënjohjen e Shqipërisë ndaj autoriteteve suedeze për përkrahjen dhe ndihmën e fuqishme përgjatë viteve për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Suedia ka qenë përherë një mbështetëse e pandalshme ndaj Shqipërisë për reformat institucionale, demokratizimin, mirëqeverisjen dhe asistencën teknike gjatë rrugëtimit tonë evropian”,-cilëson ai.
Hasani ka nënvizuar edhe vendosmërinë e Shqipërisë në përmbushjen e procesit të reformave gjithëpërfshirëse dhe transformuese për t’u përafruar në kohën e duhur me standardet evropiane, si dhe rolin e saj si kontribuuese e rregullt në bashkëpunimin, stabilitetin dhe kohezionin e rajonit tonë.
