Banka e Shqipërisë u bëri thirrje dje huamarrësve që kanë një kredi ku interesi është i ndërtuar mbi treguesin TRIBOR të jenë të vëmendshëm ndaj njoftimeve që do të marrin nga bankat.
Ishte ky institucion që në Gusht të vitit të kaluar, vendosi ndërprerjen e përllogaritjes dhe publikimit të normave të tregut ndërbankar të parasë, TRIBID (Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave) dhe TRIBOR (Interesi i ofruar për kredinë ndërbankare), duke filluar nga data 1 Gusht 2024.
Ndryshimi i miratuar do të sjellë efekte mbi kontratat aktuale të kredive, të cilat janë nënshkruar duke e bazuar llogaritjen e normës së interesit në normën TRIBOR. Kjo për faktin se indikatori TRIBOR është një tregues bazik dhe mjaft i rëndësishëm në përllogaritjen e normave të interesit që bankat aplikojnë mbi kreditë që i japin biznesit dhe individëve.
Norma e interesit të kontratës së kredisë është një ndër kushtet thelbësore të kontratës, të dakordësuara në marrëdhënien kontraktuale dhe në rast ndryshimi të saj, nevojitet miratimi i palëve.
Në zbatim të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale, bankat tregtare kanë filluar njoftimin e klientëve të tyre, të cilët preken nga ky ndryshim për kontratat ekzistuese të kredive, të përllogaritura mib bazën e normës TRIBOR dhe duke shtuar ekstra edhe një prim të caktuar rreziku që e ka në vetvete çdo subjekt huamarrës (ndaj formula është TRIBOR + një % e caktuar primi).
“Në këtë kuadër, duke përfituar nga rasti, u bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm ndaj njoftimeve që vijnë nga bankat tregtare për ndryshimet në kontratën e tyre të kredisë, veçanërisht nëse kjo e fundit është vlerësuar me normën e interesit TRIBOR.
Për çdo rast, i inkurajojmë qytetarët të lexojnë me vëmendje kontratën e kredisë për të vlerësuar nëse preken nga ky ndryshim ose t’i drejtohen bankës së tyre tregtare për të marrë më shumë informacion, nëse është i nevojshëm zbatimi i ndryshimeve në kontratën e tyre të kredisë, bazuar mbi normën e përdorur,” thuhet në njoftimin zyrtar të Bankës së Shqipërisë.