Kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj i është përgjigjur sot akuzave të mediave se kjo njësi vendore ka abuzuar në lidhje me tenderët e zhvilluar. Ai thotë se gjithçka është kryer në përputhje me ligjin dhe se nuk ka shkelje. Imeraj sugjeron që gazetarët t’i lexojnë më mirë ligjet. Kryebashkiaku shprehet se “do ta bëj me përkushtim çdo ditë të detyrës si kryebashkiak, pavarësisht dëshirës dhe përpjekjes së eksponentëve të PD-së për baltosjen e punës dhe figurës sime.”
Postimi i Dionis Imeraj:
Në përgjigje të një informacioni allapd-ist, pa bosht, të pavërtetë dhe të pabazuar në fakte e ligje (i përdorur dhe nga gazetarë të papërgjegjshëm, të cilët nuk kanë as minimumin e etikës profesionale), i cili po qarkullon në rrjete sociale dhe media, me qëllimin e vetëm dezinformimin e opinionit publik.
Bashkëqytetarëve të mi, me krenari e them se iu kam shërbyer me devotshmëri që nga momenti i zgjedhjes në krye të Bashkisë Dibër, e do ta bëj me përkushtim çdo ditë të detyrës si kryebashkiak, pavarësisht dëshirës dhe përpjekjes së eksponentëve të PD-së për baltosjen e punës dhe figurës sime.
Së pari, çdo lloj tenderimi që është kryer nga Bashkia Dibër prej 1 viti, për sa kohë unë e drejtoj këtë institucion, është plotësisht konform ligjit “Për Prokurimin Publik”.
Së dyti, është fatkeqësi e madhe për nivelin e tyre, aq sa Spitalit Rajonal Peshkopi i referohen si institucion në vartësi të Bashkisë Dibër.
Duke marrë shkas nga ky pseudolajm, kam një sugjerim të sinqertë për ata të mjerë:
Që herë tjetër t’i lexojnë më mirë ligjet, sigurisht nëse dinë të lexojnë.
Ndërkohë, ne vazhdojmë angazhimin maksimal për të bërë më të mirën për Dibrën e dibranët.