Marash Kumbulla po kthehet shumë shpejt në një nga emrat më të vlerësuar te skuadra e Romës. Edhe pse ka vetëm pak javë që i është bashkuar kësaj skuadre, ai po shlyen investimin që është bërë për ta blerë nga Verona, me paraqitje shumë të mira, së fundmi edhe në fazën ofensive duke shënuar në dy takimet e fundit radhazi të verdhekuqve.
Pas ndeshjes ndaj Milanit, ku ai shënoi golin e barazimit 3-3, Kumbulla tregoi edhe emocionet e tij për një sezon që e sheh gjithnjë e më shumë në rolin e protagonistit që në ndeshjet e para.
“Golat? Harkimet nga këndi janë shumë të bukura dhe është e lehtë të shënoj gol”, tha mbrojtësi për mediat italiane. “Kam qenë gjithmonë një qendërmbrojtës, por kam pasur gjithmonë zakon të shënoj gola”, vijoi Kumbulla.
Ndërkohë, ai pranoi se goli i sotëm kishte shërbyer për të shlyer gabimin në fillimin e ndeshjes, kur la t’i shkëputej Ibrahimoviç dhe të shënonte golin e avantazhit për Milanin. “Mund të përmirësohem në gjithçka dhe shumë. Te goli i parë bëra një gabim që mund të evitoja, por për fat pastaj e shleva duke shënuar”, deklaroi mbrojtësi shqiptar pas sfidës
