Një ditë pasi iu dorëzuan gjykatës speciale në Hagë, hetues të kësaj gjykatë bashkë me EULEX-in kanë bastisur shtëpitë e ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së Kadri Veseli, atë të Rexhep Selimit dhe zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar bastisjet, por nuk ka dhënë detaje të tjera. Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi të hënën do të bëjë paraqitjen e parë para gjyqit.
Dje është bërë publike edhe aktakuza prej 68 faqesh me veprat që rëndojnë Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm, torturës dhe vrasjes së paligjshme të cilat sipas Dhomave të Specializuara janë kryer midis Marsit 1998 dhe Shtatorit 1999.
Në këtë aktakuzë janë publikuar edhe emrat të tjerë si Azem Syla, Fatmir Limaj, Lahi Brahimaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas Speciales, disa prej tyre nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale, por u përdorën nga anëtarët për të kryer krime.
