Policia e Kosovës i ka vënë prangat një personi që hiqej si ministër dhe me këtë prezantim të rremë ka kërkuar nga dy persona një shumë të parave në mënyrë që ta ndihmojnë në një çështje pronësore.
“Sot me datë 06.10.2021, Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore kanë arrestuar personin e dyshuar me iniciale (R.B.) si dhe kanë kontrolluar banesën e të dyshuarit të lartcekur me iniciale.
Gjatë realizimit kontrollit të banesës së të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi të cilat do të përdoren si prova në procedurë penale.
I lartcekuri dyshohet se është prezantuar rrejshëm si person zyrtar (ministër) dhe me këtë prezantim të rremë ka kërkuar nga dy persona një shumë të parave në mënyrë që t’iu ndihmoj në një çështje pronësore. Po ashtu gjatë hetimit ndaj të dyshuarit janë siguruar dëshmi për përfshirjen e tij në falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.
Me këto veprime i dyshuari i lartcekur (R.B.) dyshohet se ka kryer veprat penale “Prezantimi i rremë si person zyrtar” neni 409, Mashtrimi – neni 323 dhe Falsifikimi i dokumenteve – neni 390. Sipas kodit penal të RKS-së.
I dyshuari pas intervistimit dërgohet në vuajtje të dënimit pasi që rezulton se paraprakisht është dënuar edhe nga Gjykata me vendim të formës së prerë në kohëzgjatje prej dhjetë (10) muajsh për vepra të mëhershme penale “Mashtrimi” dhe “Prezantimi i rremë si person zyrtar””, njofton policia e Kosovës.