Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, tha se zgjedhjet e 14 Majit nuk janë thjesht për caktimin e drejtuesve vendorë. “Pavarësisht se këto janë zgjedhje vendore, më 14 Maj vendoset fuqia e bashkëpunimit mes qeverisë qendrore dhe atyre vendore”, tha Rama.
Po ashtu kreu i qeverisë, shtoi edhe se i ka quajtur kandidatët e opozitës si “kukulla të një çifti”, ku ndodhet edhe një person i shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara. “Kemi thirrje të përsëritura nga aleati për të bërë shumë kujdes. Sepse natyrisht zgjedhja është e shqiptarëve, por edhe zgjedhja apo natyra e marrëdhënieve, është e aleatëve tanë”.
I pyetur mbi deklaratat e tij për të mos votuar kandidatët e opozitës, pasi në të kundërt nuk do të ketë bashkëpunim me qeverinë qendrore, Rama bëri thirrjen që më 14 Maj duhet të qëndrojmë në krahun e duhur të historisë.
“Ne do të bëmë tonën në çdo bashki, por në Shkodër e kemi pasur zero bashkëpunimin, jo se nuk kemi dashur, por sepse kandidatët e këtyre forcave i përkasin një familjeje të shthurur politike e cila nuk ka pasur kurrë aftësinë të drejtojë në funksion të komuniteteve. Shkodra sot është i vetmi qytet i Shqipërisë, ku plehrat rrinë mbi kazanë me ditë të tëra dhe nuk mblidhen. Njësoj siç ishin në çdo qytet para se ne ta vendosnim prioritet pastrimin e qyteteve tona. Zgjedhja është mes një force të madhe politike që ka treguar se çfarë di të bëjë dhe që ka treguar vullnetin se mund të bëjë akoma më shumë. Siç hoqa unë apendicitin tim, edhe shqiptaret duhet ta heqin apendicitin e tyre”.
