Jeta e Besim Canametit nuk ka rrjedhur si e shumë njerëzve të tjerë. Ajo ka kaluar plot vështirësi, pengesa, vuajtje. Kur ishte vetëm 8 vjeç ka humbur gjënë më të shtrenjtë, sytë. Megjithëse është 57 vjeç, është plot energji, mjaft punëtor, këmbëngulës.
30 vjet më parë të afërmit e martuan me mblesëri me gruan që Besimi ka aktualisht. Një zonjë mjaft korrekte, bujare, humane, e palodhur. I sheh teksa shëtisin në lulishten “Nëna Mbretëreshë, Geraldinë” Burrel. Besimi thotë se gruaja është oksigjeni për të dhe i është shumë mirënjohës. Çifti jeton në normalitet të plotë, madje Canameti është kryetar i Shqatës të të Verbërve Mat, detyrë që e kryen me mjaft përkushtin e dashuri prej shumë vitesh.
Në lagjen “Drita” Burrel, në një apartament ata qëndrojnë në zyrat e shoqatës. Presin e përcjellin qytetarë që kanë probleme, ndërkohë nuk mungojnë prononcimet e tij për mediat, kryesisht për problemet që kanë njerëzit me aftësi ndryshe.
Biseda me Besim Canametin është rrënqethëse. As ne nuk e dinim si ai ka humbur shikimin. Ndokush mendonte se kishte lindur me defekte. E vërteta është ndryshe. Një granatë luftarake e Luftës së Dytë Botërore i ka marrë shikimin 57-vjeçarit nga Rremulli i Matit. Ajo u gjet buzë lumit, në disa ferra.
“Kur isha 8 vjeç, me datë 9 korrik 1970, teksa kullosja bagëtitë buzë lumit Kurvajë, bashkë më moshatarë, njëri nga ata më dha në dorë një send që për momentin m’u duk si elektrik, nga ato që përdorte ushtria asokohe”, shprehet Besim Canameti.
Nxënësi i klasës së dytë nuk e ka njohur armën vrastare, as nuk e ka ditur se shoku i kishte hequr siguresën në momentin kur ia kishte dhënë në dorë. Besimi tregon se ka ndjerë një goditje të fortë në fytyrë dhe në duar dhe është shembur në tokë pa ndjenja.
“Në mendje më ka mbetur moment kur rashë përtokë pa ndjenja, thotë Canameti. Nuk e di kush më është gjendur i pari pranë. Më kanë dërguar në spitalin e Burrelit, ku kam qëndruar për një muaj. Shpëtova, por humba dy sytë dhe dy gishta të dorës së djathtë”.
Për katër vjet djali që kishte humbur totalisht shikimin qëndroi pranë familjes. Me këmbëguljen e tij dhe të familjes regjistrohet në shkollën e të verbërve Tiranë. Atje mbyll formimin në arsimin 8-vjeçar.
Duke vijuar tregimin për jetën e tij plot vështirësi Canameti shprehet se në vitin 1981 ka përfunduar shkollën 8-vjeçare, pra në moshën 19-vjeçare. Një vit pasi mbaron shkollën e emërojnë centralist në Uzinën e Ferrokromit Burrel.
“Ishte gëzim i madh fillimi i punës. Madje ishte luks të punoja si centralist. Deri në vitin 2002 kam punuar rregullisht në këtë ndërmarrje. Kam kaluar vitet më të mira të jetës. Komunikoja me drejtues e specialistë të UFK-së vazhdimisht. Pikërisht në vitin 2002 uzina i besohet firmës italiane, “Darfo Albania”. Reforma në këtë ndërmarrja dhe mbërritja e telefonisë celulare më nxori të papunë”, thotë Besimi.
Është drejtues i shoqatës për shumë vite dhe ndjek nga afër shqetësimet e tyre në rrethin e Matit. Është sakaq antar i forumeve të larta të Shoqatës të të Verbërve të Shqipërisë.
Besim Canameti thotë se kohët e fundit po tentohet kryerja e një reforme të gjërë në sektorin e sigurimeve shoqërore. Sipas tij ndarja në grupe e personave me aftësi ndryshe do të krijojë një mal me probleme për to. Ai nënvizon se shumë persona me probleme serioze do të humbasin mbështetjen financiare që kanë nga shteti, ose ajo mund t’u zvogëlohet. Ai ka merakun se nëqoftëse do t’u hiqet kujdestaria të verbërit do të kenë probleme serioze. “Unë personalisht, thotë ai, nëse nuk kam kujdestarinë e gruas nuk shkoj dot askund, as në tualet. Nëse humbas diçka në shtëpi apo në punë nuk e gjej dot pa ndihmën e bashkëshortes”. / tirananews.al