Si një ekspert në analizimin e tregut , 5 vite me pare Luixhi Di Lucia nga Italia nuk do të vinte në diskutim dy herë vendimin për të ardhur në Shqipëri. Ai pa që rajoni i Ballkanit dhe kryesisht vendi ynë, kishte mundësi të shumta për zhvillimin e një biznesi. Luixhi ka sot një nga zyrat e kontabilitetit më të rëndësishme në qytet, ndërsa operon edhe si ndërmjetës për të gjithë të huajt që duan të investojnë në Shqipëri.
“Unë jam një zhvillues biznesi, ndihmoj sipërmarrjet të ngrihen dhe zgjerohen në fushën ndërkombëtare. Para se të mbërrija këtu, pak para pandemisë kuptova bumin ekonomik që priste vendin tuaj. Besova te Shqipëria në ato momente dhe nuk u zhgënjeva. Shqipëria ofron shumë mundësi për investim, sepse është një territor në zhvillim, është ende një territor i virgjër me shume gjëra për të bërë si në planin infrastrukturor, shërbime dhe industrial”, tha Luixhi Di Lucia.
I ardhur fillimisht për punë, dy vite më vonë Luixhi vendosi të tërhiqte dhe familjen, ndërsa zgjodhi Vlorën si qytetin ku do të jetonte.