Zgjedhjet e vitit 2019 duket se nuk janë të parat në të cilat qytetarët do të drejtohen nga kryetarë bashkie të cilët do të jenë të paracaktuar.

Në këto të fundit, për shkak se nuk ka konkurrencë në 31 bashki, por në vitin e largët 1991 qytetarët u vunë para faktit të kryer se kush do të drejtonte bashkinë e tyre.

Afrim Krasniqi, ekspert për çështjet zgjedhore, shprehet: “Zgjedhjet e para ishin pothuajse eksperimentale. Në komunizëm zgjidhej kryetari me emërim dhe praktikisht kryetarët e parë ishin të emëruar. Partia që ka fituar më shumë në zgjedhjet parlamentare të merrte edhe drejtuesin e qytetit”.

Zgjedhjet e para vendore në Shqipëri u mbajtën në korrik 1992, me një pjesëmarrje prej 71% të poullsisë. Me një rezultat mjaft të ngushtë në përqindje, fituese ishte Partia Socialiste, me 45.43% të votave, ndërsa PD siguroi 37.13% të votave. Demokratët ruajtën qytetet kryesore. Socialistët u rikthyen në shumë fshatra, në jug e qendër.  

Zgjedhjet e 20 tetorit 1996 e kishin gjetur opozitën socialiste jashtë Parlamentit. PS vendosi të hyjë në votime pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, ndërsa kryetari Fatos Nano vijonte të ishte në burg. Socialistët humbën thellë duke marrë vetëm 4 bashki, përballë 37 të demokratëve. Procesi u pranua nga ndërkombëtarët, por u cilësua si i manipuluar nga opozita.

Në vitin 2001, e majta fitoi gjerësisht. Partia Socialiste mori drejtimin e bashkive kryesore, të drejtuara që nga 1992 nga PD. PS-ja fitoi 28 bashki dhe 110 komuna, PD-ja 9 bashki dhe 58 komuna. Opozita nuk i njohu zgjedhjet.  

Asnjëherë më parë dy partitë kryesore politike nuk kishin pasur distancë më të afërt sesa në lokalet e vitit 2003, me një diferencë prej vetëm 2%. PS fitoi rreth 410 mijë vota ose 34%, kurse PD 382 mijë vota dhe rreth 32%. Opozita fitoi në Elbasan e Korçë, ndërsa humbi në Tiranë e Durrës. Përsëri opozita nuk i njohu zgjedhjet në tërësi e veçanërisht aty ku humbi.

Viti 2007 shënon rastin e parë kur Presideti dekretoi dy herë datë zgjedhjesh. Kjo pasi PS, e drejtuar nga Edi Rama, nuk pranonte të hynte në zgjedhjet e dekretuara në 20 janar 2007 sepse opozita nuk kishte garanci për proces të rregullt. Kjo krizë njihet me termin “Kriza e certifikatave”, pasi PS pretendonte se qeveria “Berisha” do të manipulonte zgjedhjet duke lejuar që qytetarët të përdornin si dokument identifikimi certifikatat e rregullta që lëshon Zyra e Gjendjes Civile. Forcat politike dhe koalicionet arritën një marrëveshje në një tryezë të rrumbullakët të iniciuar dhe drejtuar nga Presidenti Alfred Moisiu, i cili dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve në 18 shkurt të 2007. PD dhe aleatët e saj fituan në 36 bashki, socialistët dhe kandidatët e mbështetur prej tyre, fituan në 26 bashki.

Zgjedhjet e vitit 2011 do të mbahen mend si zgjedhjet e votave të fundit. Kjo për shkak të përballjes së fortë të kryetarit të PS, Edi Rama dhe Lulzim Bashës, i cili kishte mbajtur poste ministrore në qeverinë “Berisha”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli fitues  kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, duke marrë 81 vota më shumë se Edi Rama. PS këmbëngulte se fitues në fakt ishte kryesocialisti Edi Rama me 10 vota para Bashës. Koalicioni i djathtë, i drejtuar nga Partia Demokratike, “Aleanca për Qytetarin”, u shpall fitues me 141.723 vota më shumë se koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste, “Aleanca për të Ardhmen”.

Në 21 qershor 2015, zgjedhjet për pushtetin vendor u zhvilluan për herë të parë sipas ndarjes së re territoriale. Ato nuk sollën ndryshime mes kampeve. E majta rikonfirmoi diferencën e thellë me të djathtën, por mes socialistëve dhe aleatit kryesor LSI do të shfaqen përplasjet e para. Kryeministri Rama nga ana e tij zgjeroi aleancat në prag të zgjedhjeve, duke krijuar një koalicion me 37 parti politike. Në ndryshim nga e kaluara, e djathta do të paraqitet me një koalicion të tkurrur, me vetëm 15 parti. Më 21 qershor e majta siguron një fitore të thellë në 45 bashki, kundrejt vetëm 15 që i kaluan opozitës. Në Jug bashkia e Finiqit shkoi për kandidatin e partisë Mega të minoritetit grek. Në Tiranë u vunë përballë, Erjon Veliaj dhe Halim Kosova. Kandidati soicalist fitoi 44 mijë vota më shumë se doktori që kishin zgjedhur për të kandiduar demokratët. Kriza politike e nisur në shkurt i çon të dielën shqiptarët në zgjedhje lokale pa kandidatë në më shumë se gjysmën e bashkive. Por, efektet e vendimit të shumicës për të shkuar e vetme në zgjedhje nuk do të kufizohen vetëm tek bashkitë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here