Me profesion është saldator prej 50 vitesh, por ka pasion politikën. Nuk lë aktivitet të Partisë Demokratike pa frekuentuar, ndërkohë gjithë të afërmit mbështesin Partinë Socialiste. Është 68 vjeç dhe punon në ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve Mat. Sul Isufin vazhdimisht e gjen në shoqërinë e kolegëve të tjerë hidraulikë. Punon shumë dhe të gjithë kanë dëshirë të bisedojnë me të, apo dhe të pinë dhe një gotë.
Në jetën e tij ka shumë momente të veçanta, por ai rrëfen marsin e vitit 1991 kur iu sugjerua nga drejtuesit e PD-së Mat të rrëzonte bustin e Karl Marksit në qytezën e Ulzës.
“Drejtori i ish Ndërmarrjes së Ndërtimit, G. Kolaveri, më urdhëroi të shkoja në Ulzës, me takraf. Nuk më thanë çfarë do të bëja. Kur shkova në Ulëz kryetari i Sindikatave të Pavarura të rrethit, P. Hoti, më tha se duhet të rrëzonim bustin e Marksit”, thotë
Sul Isufi për tirananews.
Bashkë me shoferin e mjetit i janë afruar bustit në fundin e lulishtes, aty ku sot është ndërtuar në shatërvan. Isufi i ka hedhur kavon bustit dhe pasi ka zbritur për t’i thënë shoferit ta tërhiqte bustin prej bronxi, ka përjetuar momentin më të vështirë të jetës së tij.
“Sapo zbrita nga busti një person, rreth 25 vjec, më vuri në qafë sëpatën dhe më thërriste me ton të lartë: “Mos lëviz se ta hoqa kokën”. Tehun e mjetit prerës e kisha pas qafe, madje më kishte prekur lëkurën. Nuk lëviza asnjë milimetër. Kam qëndruar ashtu rreth gjysmë ore, ose dhe më shumë. Shoferi iku prej aty dhe unë mbeta i vetëm”, rrëfen saldatori.
Drejtuesi i mjetit ka zbritur poshtë te hidrocentrali dhe ka informuar drejtuesin e sindikatave dhe kryetarin e Partisë së Punës, për atë zone, se çfarë po ndodhte në qendër të qytezës. Ata menjëherë janë ngjitur lart për t’i ardhur në ndihmë Isufit që kishte mbetur gjysmë i shtrirë.
Duke vijuar tregimin e tij “demokrati i çmendur” thotë se dëgjova zhurma aty afër dhe dikush thirri me zë të lartë: “Largohu, hiqe sëpatën”. I riu që nuk e njoha kurrë iku me vrap ndërsa ai që kishte thirrur ishte sekretari i Partisë së Punës për Ulzën që më shpëtoi jetën.
Prej tri vitesh Sul Isufi ka dalë në pension, por ndërmarrja Sh.A Ujësjellës Kanalizime e mban në punë si specialist të aftë. Ai udhëton nga Burreli në Tiranë për të protestuar kundër qeverisë aktuale. Thotë se është demokrat, por është kundër veprimeve të dhunshme. / tirananews.al